Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë një fjalim në Akademinë e Rojës Bregdetare të SHBA-së këtë pasdite në Connecticut, foli për luftën në Iran ku tha se nuk po nxitonte të arrinte një marrëveshje pasi gjithçka është shkatërruar në Teheran.
Ai theksoi se po presin për një marrëveshje, por shtoi se nëse nuk arrihet një gjë e tillë, SHBA-së do t’i duhet të përfundojë këtë punë që ka nisur, duke nënkuptuar rifillimin e sulmeve ndaj Iranit.
"Marina e tyre është zhdukur, forca e tyre ajrore është zhdukur, pothuajse gjithçka. Pyetja e vetme është, a do të shkojmë dhe do ta përfundojmë, apo do të nënshkruajnë ndonjë dokument? Le të shohim çfarë ndodh. Do të na duhej të hapnim Ngushticën e Hormuzit, ajo do të hapej menjëherë. Kështu që do t'i japim një shans. Mund ta bënim në të dyja mënyrat”, tha Trump.
Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu mediat të cilat nuk paraqesin një situatë pozitive për SHBA-në në luftën në Iran. Trump i quajti këto media si “fake news” dhe shtoi se kur të arrihet marrëveshja me Iranin do të shikohet qartë se kush po gënjen.
"Ne nuk do ta lejojmë Iranin të ketë një armë bërthamore. Kaq është. Është shumë e thjeshtë. Ne kemi mbështetje të madhe, nuk do ta kuptonit këtë duke lexuar lajmet e rreme. Ata duan aq shumë të bëjnë një marrëveshje, do të shohim çfarë do të ndodhë. Por ne i goditëm shumë fort; mund të na duhet t'i godasim edhe më fort. Por ne nuk do ta lejojmë Iranin të ketë një armë bërthamore", shtoi Trump.
Gjithashtu Trump theksoi se nuk do ta lejonte Iranin të kishte një armë bërthamore për të hedhur në erë të gjithë Lindjen e Mesme. Ai tha se kjo do të përbënte një kërcënim për Izraelin dhe më pas sugjeroi se do të përbënte gjithashtu një kërcënim për amerikanët në SHBA.
Lini një Përgjigje