Autoritetet doganore të Maqedonisë së Veriut kanë sekuestruar 500 mijë euro cash në pikën kufitare të Tabanocit, të fshehura në një minibus që po udhëtonte drejt Tiranës.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i automjetit, një shtetas shqiptar me inicialet XH.G., po hetohet për transport të paligjshëm të parave dhe dyshime për pastrim parash. Ndaj tij ka nisur procedimi penal, ndërsa shuma e parave dhe minibusi janë sekuestruar si prova materiale.
Minibusi transportonte shtatë pasagjerë në momentin që u ndalua nga dogana. Gjatë kontrollit të detajuar, autoritetet zbuluan një hapësirë të posaçme të ndërtuar brenda mjetit, ku ishin fshehur paratë, të ndara në 14 qese.
Drejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, e cilësoi operacionin si rastin më të madh të kapjes së parave cash në historinë e institucionit.
“Ky është sekuestrimi më i madh i parave cash në historinë e doganave tona. Përpjekja u parandalua falë një operacioni të mirëfilltë të Departamentit Operativ”, deklaroi Nikollovski.
Autoritetet maqedonase po vijojnë hetimet për të zbuluar origjinën e shumës së sekuestruar dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

Lini një Përgjigje