Në një kritikë të rrallë publike ndaj një anëtari të kabinetit të tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu qortoi ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pas publikimit të videos ku shfaqen aktivistët e flotiljes për Gazën të gjunjëzuar dhe me duart e lidhura pas shpine.
“Israeli ka çdo të drejtë të ndalojë flotiljet provokuese të mbështetësve të Hamasit që përpiqen të hyjnë në ujërat tona territoriale dhe të arrijnë në Gaza”, deklaroi Netanyahu. Megjithatë, ai shtoi se “mënyra se si ministri Ben-Gvir i trajtoi aktivistët nuk është në përputhje me vlerat dhe standardet e Izraelit”.
Kryeministri izraelit kërkoi gjithashtu që aktivistët e ndaluar të deportohen “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Më herët gjatë ditës, ministri ultranacionalist Ben-Gvir publikoi në rrjetet sociale një video ku shihen dhjetëra aktivistë të flotiljes së Gazës të gjunjëzuar pranë njëri-tjetrit dhe të lidhur pas shpine, ndërsa në sfond dëgjohet himni kombëtar i Izraelit.
Në video, Ben-Gvir shfaqet duke valëvitur një flamur të madh izraelit dhe duke deklaruar: “Kështu i mirëpresim mbështetësit e terrorizmit. Mirë se vini në Izrael”.
Pamjet kanë shkaktuar reagime të forta si brenda Izraelit ashtu edhe ndërkombëtarisht, ndërsa kritika të ashpra ndaj ministrit erdhën edhe nga shefi i diplomacisë izraelite, Gideon Saar.
“Po i shkakton dëm shtetit të Izraelit. Ti nuk je fytyra e Izraelit”, deklaroi Saar në reagimin e tij publik ndaj Ben-Gvirit.
Lini një Përgjigje