
BE ka reaguar pas deklaratës së presidentit të SHBA, Donald Trump i cili deklaroi se do të dyfishojë tarifat për importet e çelikut duke filluar nga java e ardhshme, duke thelluar luftën e tij tregtare e cila ka goditur tregjet globale.
Presidenti amerikan tha ditën e djeshme se tarifat do të rriten nga 25% në 50% "gjë që do ta sigurojë edhe më tej industrinë e çelikut në Shtetet e Bashkuara”. Ai shtoi se taksa e re - që prek edhe importet e aluminit - do të hyjë në fuqi nga e mërkura dhe se "industritë amerikane po kthehen si kurrë më parë".
Komisioni Evropian tha se shpreh keqardhje për rritjen e paralajmëruar të tarifave amerikane për importet e çelikut dhe se Bashkimi Evropian është i gatshëm të prezantojë kundërmasa.
“Na vjen keq shumë për rritjen e paralajmëruar të tarifave amerikane për importet e çelikut nga njëzetepesë në pesëdhjetë për qind”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në një deklaratë.
“Ky vendim kontribuon në pasiguri shtesë kur bëhet fjalë për ekonominë globale dhe ndikon në koston e konsumatorëve dhe bizneseve në të dy anët e Atlantikut”, u shpreh zëdhënësi ndërsa shtoi se rritja e tarifave minon gjithashtu përpjekjet aktuale për të arritur një zgjidhje të dakorduar.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha gjithashtu se Bashkimi Evropian kishte vendosur të ndalonte kundërmasat e tij për të lënë hapësirë për negociata të mëtejshme.
“BE është e gatshme të prezantojë kundërmasa, të cilat do të përfshijnë një përgjigje ndaj rritjes së fundit të tarifave të Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha zëdhënësi.
Lini një Përgjigje