Vizita e presidentit amerikan Donald Trump në Pekin duket se ka ndezur “radarët” e Moskës për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës, ndërsa Kremlini po përgatitet për vizitën e afërt të Vladimir Putinit në kryeqytetin kinez.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia po ndjek me vëmendje të gjitha sinjalet që dolën nga takimet Trump–Xi Jinping, duke lënë të kuptohet se Moska kërkon të kuptojë më qartë drejtimin që mund të marrë raporti mes dy superfuqive.
Gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp, Peskov konfirmoi se përgatitjet për vizitën e presidentit rus në Kinë kanë përfunduar dhe se udhëtimi do të zhvillohet “shumë shpejt”.
“Në fakt, vizita do të zhvillohet shumë shpejt. Përgatitjet për vizitën kanë mbaruar me të vërtetë, pasi janë zhvilluar konsultime dhe është rënë dakord për të gjitha detajet kryesore të vizitës”, deklaroi ai.
Kremlini sinjalizoi gjithashtu se Moska dhe Pekini do të bëjnë së shpejti një njoftim të përbashkët zyrtar, duke theksuar koordinimin e ngushtë mes dy vendeve.
“Do të bëjmë një njoftim zyrtar së shpejti. Meqenëse po e bëjmë këtë bazuar në një marrëveshje me miqtë tanë kinezë, nuk duam të ecim përpara kohe”, tha Peskov.
Megjithatë, vëmendja më e madhe u përqendrua te komentet e Kremlinit për vizitën e Donald Trump në Pekin. Peskov pranoi se Moska po monitoron nga afër raportimet ndërkombëtare dhe pret të marrë informacion më të detajuar sapo delegacioni rus të mbërrijë në Kinë.
“Ne po ndjekim nga afër raportet në media dhe gjithashtu presim të marrim informacion të dorës së parë sapo të mbërrijmë në Kinë”, u shpreh ai.
Deklarata interpretohet si një tregues se Rusia po përpiqet të kuptojë nëse takimi Trump-Xi mund të sjellë ndryshime në ekuilibrat globalë, në një moment kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit konsiderohen ndër më të afërtat e viteve të fundit.
Sipas Peskovit, gjatë vizitës në Kinë, Putin do të diskutojë me udhëheqjen kineze jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe, por edhe zhvillimet kryesore ndërkombëtare.
“Marrëdhëniet dypalëshe vijnë të parat, duke përfshirë partneritetin tonë të privilegjuar dhe bashkëpunimin mbresëlënës tregtar dhe ekonomik, me vlerë vjetore që tejkalon 200 miliardë dollarë”, deklaroi ai, duke shtuar se në fokus do të jenë edhe çështjet globale.
Në konferencën e tij, zëdhënësi i Kremlinit komentoi edhe situatën në Kubë, duke konfirmuar se Rusia është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kubane për shkak të krizës së furnizimit me karburant.
“Ne mbajmë kontakt me udhëheqjen kubane, miqtë tanë. Situata është vërtet e vështirë”, deklaroi Peskov.
Lini një Përgjigje