
Pakistani, Arabia Saudite, Turqia dhe Egjipti zhvilluan të dielën bisedime të përbashkëta në Islamabad për të shqyrtuar mënyra konkrete për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, në sfondin e përshkallëzimit të përplasjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar.
Sipas deklaratës së tij, katër vendet shprehën besim në rolin ndërmjetësues të Pakistanit, ndërsa Kina ka mbështetur plotësisht iniciativën për organizimin e mundshëm të bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad.
Burime të njohura me diskutimet i thanë agjencisë Reuters se një nga çështjet kryesore ishte rihapja e Ngushticës së Hormuzit për transportin detar, një rrugë kyçe për furnizimin global me energji. Disa prej propozimeve janë përcjellë tashmë në Uashington.
Sipas një burimi pakistanez, propozimet, përfshirë edhe ato të paraqitura nga Egjipti, janë dërguar paraprakisht në Shtëpinë e Bardhë dhe përfshijnë modele tarifash të ngjashme me ato të Kanalit të Suezit.
Dy burime të tjera nga Pakistani i thanë Reuters se Turqia, Egjipti dhe Arabia Saudite kanë diskutuar mundësinë e krijimit të një konsorciumi për menaxhimin e rrjedhës së naftës përmes Ngushticës së Hormuzit dhe i kanë kërkuar Pakistanit të marrë pjesë. Megjithatë, sipas një burimi tjetër, Islamabadi nuk është ftuar zyrtarisht dhe nuk pritet të bashkohet.
I njëjti propozim është diskutuar edhe me SHBA-në dhe Iranin. Burime pakistaneze konfirmuan se shefi i ushtrisë, gjenerali Asim Munir, ka qenë në kontakt të rregullt me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.
Deri tani, ministritë e Jashtme të Egjiptit dhe Pakistanit nuk kanë komentuar mbi këto zhvillime, ndërsa edhe Shtëpia e Bardhë dhe autoritetet saudite nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për reagim.
Një burim diplomatik turk deklaroi për Reuters se prioriteti i Ankarasë mbetet arritja e një armëpushimi, duke theksuar se garantimi i kalimit të sigurt të anijeve mund të shërbejë si një hap i rëndësishëm për ndërtimin e besimit mes palëve.
Lini një Përgjigje