Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka folur për takimin e radhës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që është parashikuar të mbahet të hënën në Bruksel.
Ai deklaron se duhet të jetë shumë budalla që të mos përgatitet dhe të mos e dijë se çfarë e pret.
“Me Kurtin nuk ka shumë biseda. Ai njeri menjëherë fillon të flasë për Slobodan Milosheviçin, vuajtjet e tij…, nuk e di, Adem Demaçin… Atëherë e kuptoni se ai ka mbetur prapa në atë kohë, dhe kaq…”, tha Vuçiç.
Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiç tha se në takimin e 27 shkurti në Bruksel “sigurisht që do të flitet për formimin e Asociacionit” dhe, siç tha ai, “për këtë do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë”, transmeton Telegrafi.
“E di, Kurti do të shkojë me tregimin – po, po, unë pranoj gjithçka, por Serbia do të duhet të pranojë gjithçka… Dhe kështu… I kam parë të gjitha ato marifete të panumërta, kështu që kjo do të jetë taktika ime. I kam ndjekur të gjitha ato biseda kaq herë, më shumë se të gjitha së bashku, Po të isha më budallai në botë do të isha më i përgatituri. Llogaris se nuk jam tamam njeriu më budalla në botë…”, tha Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të zhvillojnë takimin e radhës mes tyre në Bruksel më 27 shkurt.
Lajmi u konfirmua nga shefi i politikës së Jashtme të bllokut, Josep Borrell, i cili shtoi gjithashtu se të dy liderët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Sipas Borrell, takimi do të përqendrohet në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në janar të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje në bazë të propozimit ndërsa u thanë se duhet të deklarojnë deri në mars nëse e pranojnë planin ose do të përballen me pasoja.
Lini një Përgjigje