Ajo që e dallon Trumpin nuk është hezitimi për të hyrë në luftë por kontrasti i madh midis retorikës së tij prej të forti dhe kujdesit të tij në realitet. Presidenti aktual duket se ka përmbysur thënien e famshme të Theodore Roosevelt-it për të folur butë dhe për të mbajtur një shkop të madh. Trump preferon të bërtasë fort, ndërsa mban në dorë një laps.
Falë Donald Trump dhe kolegut tim në Financial Times, Robert Armstrong, shumë prej investitorëve në mbarë botën tani po flasin për “tregtinë Taco”.
Ishte Roberti ai që shpiku shprehjen “Trump always chickens out” (Trump gjithmonë tërhiqet), që shkurt është “Taco”.
Modeli është i tillë: presidenti amerikan premton se do të vendosë tarifa të mëdha ndaj një objektivi të caktuar, por më pas i shkurton ose i shtyn këto tarifa, shpesh si reagim ndaj reagimeve negative nga tregjet.
Deri tani, kjo ka ndodhur me Kanadanë dhe Meksikën, pastaj me “tarifat reciproke” të vendosura ndaj pjesës më të madhe të botës (dhe disa pinguinëve), e më pas me tarifën prej 145 për qind ndaj Kinës. Një kërcënim për të rritur tarifat ndaj Bashkimit Evropian në 50 për qind zgjati vetëm një fundjavë.
Kjo shprehje iu përmend Trump-it në një konferencë për shtyp javën e kaluar. Ai nuk u argëtua dhe e quajti “një pyetje të ligë”.
Ndoshta edhe më e ligë, sepse është e saktë. Në fakt, “Taco” nuk është vetëm një mjet i dobishëm për investitorët; ajo rezulton të jetë edhe një çelës për të analizuar politikën e jashtme të Trump-it.
Siç vëren Jeremy Shapiro nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë në një analizë të fundit, Trump e ka zakon të bëjë kërcënime të tmerrshme për përdorimin e forcës. Por shumë rrallë i çon deri në fund ato kërcënime.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kërcënoi me zjarr dhe furi Korenë e Veriut dhe madje shprehu mundësinë për të fshirë Afganistanin nga faqja e dheut brenda dhjetë ditësh.
Dhe çfarë ndodhi? Ai nisi negociata me Korenë e Veriut për programin e saj bërthamor. Kur këto bisedime dështuan, ato nuk u pasuan nga zjarr e furi, por nga harresa. Koreja e Veriut ka përshpejtuar programin e saj të armëve bërthamore gjatë pesë viteve të fundit. Trump duket se e ka harruar fare problemin.
Sa për Afganistanin, ai ra dakord që SHBA të tërhiqte trupat pa marrë asnjë garanci të rëndësishme nga talebanët duke krijuar kështu terrenin për rënien e Kabulit gjatë presidencës së Bidenit.
Veprimi më i dukshëm ushtarak gjatë mandatit të parë të Trumpit ishte vrasja e Qasem Soleimani-t, kreut të forcave Quds të Iranit, në janar 2020. Por Trump e autorizoi sulmin me dron vetëm pasi mori siguri që rreziku i një hakmarrjeje nga ana e Iranit ishte i vogël.
Duke analizuar dy periudhat e tij në detyrë, Shapiro gjen 22 raste ku Trump ka kërcënuar me përdorimin e forcës por vetëm në dy prej tyre ai ka kaluar në veprim. Janë regjistruar 25 raste të përdorimit real të forcës kryesisht sulme të kufizuara kundër grupeve terroriste si ISIS apo Al-Qaeda. Por vetëm në dy raste ato janë paraprirë nga një kërcënim presidencial.
Duke shqyrtuar këto të dhëna, Shapiro arrin në një përfundim të qartë: “Trump përdor kërcënimet dhe forcën si një ngacmues shkolle: edhe pse duket i madh dhe i fuqishëm nga jashtë, në të vërtetë ka frikë nga përdorimi i forcës në çdo situatë që i ngjan një përballjeje të drejtë... Dhuna e vërtetë ndodh vetëm kundër kundërshtarëve shumë më të dobët që nuk kanë asnjë shpresë të kundërpërgjigjen.”
Zbatimi i parimit Taco në krizat e tanishme të politikës së jashtme është mjaft ndriçues. Trump ka kërcënuar se do të autorizojë sulme ndaj Iranit nëse dështojnë bisedimet për kufizimin e programit bërthamor të këtij vendi. Por e kaluara tregon se ai ka shumë gjasa të hezitojë të godasë Iranin, pavarësisht nga përfundimi i negociatave.
Përsa i përket Ukrainës, Trump pritet të jetë edhe më i kujdesshëm se administrata Biden për gjithçka që rrezikon përshkallëzim me Rusinë. Edhe pse javën e kaluar sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth paralajmëroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të jetë i afërt, duket e pamundur që Trump të rrezikojë një luftë për Tajvanin, pavarësisht se çfarë do të bëjë Kina.
Ka pasur diskutime në rrethin e Trumpit për përdorimin e ushtrisë amerikane kundër karteleve të drogës në Meksikë. Por ai mund të jetë gjithashtu i kujdesshëm për të mos u përfshirë me to nëse ekziston rreziku që ato të hakmerren brenda territorit amerikan.
Vendet që duhet të shqetësohen janë ato që duken të dobëta ose që është e pamundur të kundërpërgjigjen. Grenlanda mund të jetë një prej tyre gjë që nënkupton se Danimarka dhe Bashkimi Evropian duhet të gjejnë mënyra për t’i treguar Trump-it se çdo veprim kundrejt ishullit do të ketë pasoja.
Trump, sigurisht, nuk është i vetmi që tregohet i kujdesshëm me përdorimin e forcës. Edhe Joe Biden dhe Barack Obama kanë qenë të kujdesshëm në angazhimin e trupave amerikane në luftime. Ashtu si Trump, edhe ata janë ndikuar nga përvojat e hidhura të luftërave në Irak dhe Afganistan.
Ajo që e dallon Trumpin nuk është hezitimi për të hyrë në luftë por kontrasti i madh midis retorikës së tij prej të forti dhe kujdesit të tij në realitet. Presidenti aktual duket se ka përmbysur thënien e famshme të Theodore Roosevelt-it për të folur butë dhe për të mbajtur një shkop të madh. Trump preferon të bërtasë fort, ndërsa mban në dorë një laps.
Megjithatë, ekziston një problem i qartë me tejzgjatjen e parimit Taco. Tani që ky model i është bërë i njohur, Trump mund të ndjehet i nxitur të tregojë se është vërtet i ashpër. Një ditë pas pyetjes “të ligë” për Taco-n, Trump rriti tarifat amerikane për çelikun e huaj në 50 për qind.
Nuk është kurrë ide e mirë të tallesh me një ngacmues. Vendet që dyshojnë se kërcënimet e furishme të Trumpit nuk do të konkretizohen, ndoshta është më mirë ta mbajnë këtë mendim për vete./ Financial Times
Lini një Përgjigje