TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Korrik 2025, 20:34

Synonte zyrat e NFL, por ngatërroi ashensorin; zbulohet arsyeja që e shtyu 27-vjeçarin të kryente masakrën në Manhatan

Shkruar nga Pamfleti

Synonte zyrat e NFL, por ngatërroi ashensorin; zbulohet arsyeja që e

Një masakër e përgjakshme tronditi Manhattan-in, ku një 27-vjeçar nga Las Vegasi vrau katër persona me një pushkë gjysmëautomatike brenda një kulle zyrash në Park Avenue, përpara se t’i jepte fund jetës së tij me një plumb në gjoks.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, tha të martën se autori, Shane Tamura, mbante me vete një shënim ku fajësonte Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL) për një sëmundje degjenerative të trurit, të cilën ai besonte se e kishte zhvilluar si pasojë e lojës në sporte kontakti.

Synimi: Selia e NFL-së, por gaboi ashensorin

Hetuesit besojnë se Tamura synonte të godiste selinë e NFL-së që ndodhet në të njëjtin rrokaqiell, por hyri në një bllok tjetër të ashensorëve dhe përfundoi në zyrat e Rudin Management, kompania që zotëron ndërtesën. Atje, ai vrau një punonjës zyre dhe dy oficerë sigurie, përpara se të hapte zjarr ndaj një tjetër punonjësi të firmës financiare në ndërtesë.

Sipas Adams, shënimi i gjetur në portofolin e autorit përmendte CTE (Encefalopati Traumatike Kronike) – një dëmtim i trurit që lidhet me sportet e kontaktit, shpeshherë i lidhur me agresivitet, çrregullime të sjelljes dhe demencë. “Ai dukej se besonte se kishte CTE dhe fajësonte NFL-në për dëmtimin e tij”, – tha Adams për CBS News.

CTE është një sëmundje serioze që shkaktohet nga goditjet e përsëritura në kokë dhe për momentin nuk ka trajtim të njohur. Shumë ish-lojtarë profesionistë amerikanë kanë vuajtur pasoja fatale nga kjo sëmundje, duke çuar në padi gjigante kundër NFL-së, e cila ka paguar mbi 1 miliard dollarë në dëmshpërblime.

Një karrierë e ndërprerë para kohe

Edhe pse Tamura nuk kishte luajtur kurrë në NFL, të dhënat tregojnë se ai kishte luajtur futboll amerikan në një shkollë të mesme në Kaliforni dhe kishte qenë lojtar i formacionit të parë të ekipit të shkollës deri në diplomimin në vitin 2016. Në shënimin e tij, ai shkruante se dëmtimet në tru i kishin ndërprerë karrierën dhe se NFL nuk kishte bërë mjaftueshëm për të adresuar rreziqet e CTE-së, raportoi Bloomberg News.

Ngjarja ka hapur debat mbi shëndetin mendor të sportistëve, përgjegjësinë e ligave profesionale dhe rrezikun e armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë pjesë e një diskursi të gjerë mbi ndikimin e sporteve të kontaktit në shëndetin afatgjatë të lojtarëve.

Lini një Përgjigje