TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Korrik 2025, 16:59

Pakti me Trump, BE del me tekst të ndryshëm nga SHBA: Marrëveshja nuk është detyruese

Shkruar nga Pamfleti

Pakti me Trump, BE del me tekst të ndryshëm nga SHBA: Marrëveshja

Vijon "lëmshi" për paktin BE-SHBA...

Bashkimi Europian ka publikuar versionin e tij zyrtar të marrëveshjes së arritur të dielën në Skoci me Shtetet e Bashkuara, duke sjellë dallime të dukshme nga dokumenti i shpërndarë më herët nga Shtëpia e Bardhë. Në tekstin e Brukselit theksohet se pakti nuk është ligjërisht detyrues, ndërsa nuk përmendet asnjë angazhim për të mos vendosur taksa dixhitale mbi kompanitë e mëdha të teknologjisë.

Zëdhënësi i Komisionit Europian për Tregtinë tha se BE ruan të drejtën për të rregulluar hapësirën dixhitale sipas rregullave të veta, duke theksuar se marrëveshja nuk ndalon vendosjen e taksave të reja mbi shërbimet online dhe as tarifat mbi përdorimin e rrjeteve, siç u sugjerua në komunikatën amerikane.

Në dokumentin e BE-së dallohen edhe mospërputhje të tjera me versionin amerikan, veçanërisht për tarifat mbi çipat dhe produktet farmaceutike, që sipas Brukselit aktualisht nuk taksohen.

Komisioni Europian e cilëson marrëveshjen si një pakt politik, që synon stabilitet në marrëdhëniet tregtare BE–SHBA, por kërkon negociata të mëtejshme për zbatimin praktik. “Kjo marrëveshje mbron interesat tona strategjike dhe sovranitetin tonë rregullator, si dhe sektorët e ndjeshëm si bujqësia”, thuhet në dokument.

Paralelisht me këtë debat, një grup prej 11 shtetesh të BE-së ka kërkuar ngritjen e një mekanizmi të ri mbrojtës për industrinë e çelikut, që do të përfshinte kuota dhe tarifa shtesë për importet që tejkalojnë kërkesën e tregut. Kërkesa vjen pas një periudhe të gjatë të tejkapacitetit prodhues global dhe masave proteksioniste të SHBA-së, të cilat kanë ulur ndjeshëm prodhimin europian të çelikut, i cili ka rënë në nivele historikisht të ulëta.

Lini një Përgjigje