
Spektakli i dështuar i Trump në “lamtumirën” për Musk...
Konferenca për shtyp në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku Donald Trump deshi të përshëndeste sipërmarrësin që u kthye në krahun e tij të djathtë – thuajse një “bashkë-president” – gjatë javëve të para të mandatit të tij, u shndërrua, në të vërtetë, në një miting të presidentit, i cili foli për gjithçka, përveçse për të lavdëruar Musk-un, ndërsa ky i fundit bëri disa ndërhyrje të shkurtra dhe u përball me pyetje të parapërgatitura nga gazetarët pro-Trump.
Njëri prej tyre, duke folur për ndërhyrjet e gjyqtarëve që përpiqen të bllokojnë urdhrat ekzekutivë të presidentit si të paligjshëm ose antikushtetues, i ktheu përmbys akuzat për abuzim me pushtetin ndaj gjykatave, duke e pyetur nëse, meqë ato bëjnë çfarë të duan dhe kanë pushtet ta bllokojnë, nuk do të preferonte të shkëmbente postin e presidentit me atë të një gjyqtari. Një tjetër e shtyu të bëjë humor me një incident të supozuar me presidentin francez Macron, të cilit bashkëshortja i kishte dhënë një shuplakë.
Nga emigracioni te borxhi publik, nga ISIS-i te Afganistani, duke kaluar te tarifat, inflacioni, Ukraina dhe Lindja e Mesme – Trump kaloi nga një temë te tjetra, ndërsa herë pas here lavdëronte Musk-un, që qëndronte në këmbë pranë tij, me kostumin e zakonshëm të zi, një kapele të “Doge”-t dhe një bluzë me mbishkrimin “Dogefather” – në stilin e titujve të filmit The Godfather (Kumbari).
Për një kohë të gjatë në heshtje dhe me duar të kryqëzuara, Musk pohonte me kokë ndërsa Trump fliste, përpara se presidenti t’i dorëzonte si dhuratë lamtumire një çelës të madh të artë të Shtëpisë së Bardhë.
Trump vlerësoi punën e Musk, duke thënë se ekipi i tij do të vazhdojë punën edhe pa të, por shprehu bindjen se “Elon do të vazhdojë të merret me të nga larg, duke ardhur kur të jetë e nevojshme.” Më pas presidenti renditi disa shkurtime shpenzimesh (kryesisht modeste), të cilat i paraqiti si shmangie të keqpërdorimeve ose përdorime “ekzotike” të taksave të qytetarëve.
Kur i dha fjalën Musk-ut, ky u mjaftua me falënderime për besimin që i kishte dhënë Trump dhe premtoi se angazhimi i tij do të vazhdojë nga distanca. Ai pranoi se objektivat fillestare (kursime prej 2 mijë miliardë dollarësh) nuk janë arritur, pasi ndryshimi i mekanizmave të burokracisë rezultoi një mision pothuajse i pamundur.
Proceset janë shumë të ngadalta: deri tani kursimet, sipas Musk, kanë arritur vetëm në 160 miliardë dollarë, por ai është i sigurt se do të rriten vitet e ardhshme, derisa të afrohen me objektivat.
Pyetja e parë që iu drejtua kishte të bënte me një hetim të publikuar një ditë më parë nga Neë York Times mbi përdorimin e ketaminës dhe substancave të tjera narkotike nga ana e tij, që Musk ka deklaruar gjithmonë se i përdor në doza të kontrolluara për të përballuar episodet depresive. Por sipas të përditshmes, përdorimi i drogës u shtua gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa edhe jeta e tij private u bë më e çrregullt, me konflikte me ish-bashkëshortet, veçanërisht me këngëtaren Grimes, e cila kishte kundërshtuar daljet publike të djalit të tyre X në Mar-a-Lago dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Musk refuzoi të përgjigjej, duke deklaruar vetëm se për të ky gazetë nuk ka asnjë besueshmëri, pasi kishte shkruar gënjeshtra edhe mbi çështjen “Russiagate”. Për djalin foli më vonë, kur dritat u fikën dhe një gazetar e pyeti për një mavijosje në fytyrë pranë syrit: “E sfidova djalin tim X të më jepte një grusht në fytyrë, dhe ky është rezultati,” u përgjigj ai.
Në fund, Musk e cilësoi transformimin e tij në këshilltar dhe marrëdhënien me Trump dhe qeverinë “jo si një fund, por si një fillim: kur presidenti do të ketë nevojë për kontributin tim, do të më thërrasë dhe unë do të jem gati t’i shërbej vendit.” Në përpjekje për të shmangur ndjesinë e një divorci të zymtë, Musk madje komplimentoi Trump për mënyrën si kishte restauruar Zyrën Ovale, duke lyer tavane me ngjyrë ari. /Përshtatur nga "Corriere Della Sera"
Lini një Përgjigje