TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Maj 2025, 20:26

Nipi i Arafatit: Dy shtete janë e vetmja mënyrë për të shpëtuar palestinezët!

Shkruar nga Gabriella Colarusso

Nipi i Arafatit: Dy shtete janë e vetmja mënyrë për të

Për ish-ministrin e Palestinës, një marrëveshje e përkohshme do të ishte më mirë se asgjë, por ajo kjo nuk do t’i jepte fund tragjedisë së Gazës.

Nasser Al Kidwa lindi në Khan Younis: Gaza e tij sot nuk ekziston më. Megjithatë, ai mundet ende të imagjinojë një të ardhme për popullin e tij.

“Edhe nëse do të ketë një marrëveshje të përkohshme armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, kjo nuk do t'i jepte fund tragjedisë në Gaza. Ne duhet të punojmë drejt zgjidhjes me krijimin e 2 shteteve”, thotë ish-Ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez, njëherazi nipi i Yasser Arafatit dhe për një kohë të gjatë diplomati më i rëndësishëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Amerikanët kanë paraqitur një propozim të ri për marrëveshje. A ka ndonjë shenjë se do të ketë një armëpushim?

Situata në Gaza është gjithnjë e më katastrofike, dhe qeveria e Benjamin Netanyahut gjithnjë e më e çmendur. Palestinezët vazhdojnë të vdesin, ndërsa ushtria izraelite vazhdon të sulmojë. Ishte diçka e parashikueshme, sepse kjo është ajo që ndodh kur e lejon një qeveri të bëjë çfarë të dojë, pa e mbajtur përgjegjëse për aktet e saj.

Tani po flitet për një armëpushim të përkohshëm në këmbim të lirimit të disa pengjeve. Por edhe nëse do të ndodhte, një marrëveshje e tillë e pjesshme nuk do t'i jepte fund tragjedisë në Gaza. Sigurisht, është më mirë se asgjë, por nuk është një zgjidhje politike afatgjatë.

Izraeli dëshiron çarmatimin e plotë të Hamasit. Në fakt, këtë gjë e kërkon edhe Autoriteti Palestinez. Por a është e mundur?

Ne duhet të krijojmë një situatë të re në Gaza. Nuk mund të ketë më rikthim në status quo-në e para ngjarjeve të 7 tetorit 2023, dhe kjo do të thotë se duhet të marrë fund kontrolli i Hamasit mbi Rripin e Gazës, jo vetëm në aspektin e qeverisjes, por edhe në aspektin e sigurisë.

Njëkohësisht, duhet të jemi të arsyeshëm: një çarmatimi i plotë dhe dëbimi nga Gaza i Hamasit, janë kërkesa që çdo palestinez do ta kishte të vështirë që t’i pranonte. Hamasi duhet të bëhet një parti politike, dhe administrata e Gazës duhet t’i kalojë një qeverie të re, e cila të ketë edhe kontrollin e armëve. Por ka një problem tjetër në këtë rrugë.

Cili?

Autoriteti Kombëtar Palestinez, i cili është gjithashtu përgjegjës për sistemin e diskriminimit ndaj të cilit Gaza është nënshtruar që para luftës. Këta njerëz nuk mund të paraqiten tani në Gaza si sundimtarë të rinj. Ata nuk kanë legjitimitetin për ta bërë këtë. Vetë palestinezët nuk do ta pranonin kthimin e një sistemi të vjetër dhe të korruptuar.

Ju ndërpretë marrëdhëniet me Abu Mazen shumë kohë më parë. A besoni se presidenti nuk mund t’i udhëheqë më palestinezët?

Në Palestinë nuk mbahen zgjedhjet prej 20 vjetësh. Kjo do të thotë që nuk ka legjitimitet. Sigurisht, ne nuk duam shpërbërjen e Autoritetit Palestinez, edhe sepse Gaza duhet të rilidhet me Bregun Perëndimor, dhe kjo nuk mund të bëhet pa një autoritet legjitim në Bregun Perëndimor. Por ata duhet ta pranojnë se janë në një situatë të vështirë, dhe duhet të jenë të hapur për dialog me palët e tjera.

Së bashku me ish-kryeministrin izraelit Olmert, ju paraqitët një plan paqeje me një zgjidhje me dy shtete. A mendoni se është ende e mundur diçka e tillë?

Asgjë nuk është e pamundur. Me Olmertin propozuam një plan për Gazën, me krijimin e një organi qeveritar të lidhur organikisht me Autoritetin Palestinez dhe një shkëmbim prej 4.4 për qind të territorit midis Izraelit dhe Palestinës.

Lidhja e Gazës me Bregun Perëndimor, nënkupton se duhet t’i japësh diçka në këmbim palës tjetër, e cila mund ta përdorë atë për të zgjidhur një pjesë të problemit të kolonëve, veçanërisht në dhe përreth Jerusalemit.

A mund ta imagjinojë dikush një zgjidhje të tillë me Netanyahun dhe Ben Gvir ende në pushtet?

Ne kemi nevojë për udhëheqje të re, si në Izrael ashtu edhe Palestinë. Udhëheqësit  aktualë nuk janë më të aftë t’u shërbejnë interesave të popujve të tyre.

A mund të luajë ende Evropa një rol pozitiv?

Pa një qëndrim të qartë nga vendet perëndimore, ne nuk do të shkojmë askund. Na duhet mbështetje për njohjen e shtetit palestinez dhe kundër kolonializmit të vendbanimeve hebreje.

Disa shtete po përgatiten të njohin Palestinën në qershor. A do ta ndihmojë paqen ky hap diplomatik?

Në rast se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar e njohin shtetin tonë, kjo mund të sjellë një ndryshim të situatës. Sepse do të thoshte që tani e tutje, këto vende do të ndjekin një politikë serioze mbi 2 shtete të veçanta.

Por a do t’i japë fund luftës në Gaza?

Ndoshta jo, sepse Netanyahu dëshiron vazhdimin e luftës, e cila e mbron atë si në aspektin e ndjekjes penale për korrupsion ashtu edhe politikisht.

Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë në Gjirin Persik, duke arritur marrëveshje të mëdha. Nuk duket se sheikët janë të zemëruar për shkak të saj që po ndodh në Gaza. Çfarë përgjegjësie kanë vendet arabe?

Arabia Saudite e ka vendosur krijimin e shtetit të Palestinës si një kusht për të biseduar më pas për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Sigurisht, mungesa e një Autoriteti Palestinez të besueshëm dhe legjitim, krijon një problem edhe për autoritetet në Riad.

Për rindërtimin e Gazës, a duhet të evakuohen palestinezët, siç e tha edhe i dërguari special i Trump, Steve Witkoff ndërsa fluturonte mbi Rripin e Gazës?

As që mund të diskutohet kjo gjë. Sepse ky do të ishte një spastrim etnik.

Ka nga ata që propozojnë emrin tuaj si një kandidat të mundshëm për të udhëhequr një administratë të re në Gazën e pasluftës. A do të ishit i disponueshëm?

Situata në Gaza është e vështirë dhe e rrezikshme. Megjithatë, kjo është toka jonë, atdheu ynë, dhe unë nuk do t’i shmangem përgjegjësisë nëse do të jetë e nevojshme./ Përshtati "Pamfleti" nga “La Repubblica”

Lini një Përgjigje