
Nëse Trump e gënjeu veten duke menduar se mund t’i jepte fund luftës brenda një dite, edhe Kremlini e ka mashtruar veten kur mendoi se dekada të tëra bashkëpunimit transatlantik, mund të merrnin fund vetëm sepse në Shtëpinë e Bardhë hyri një president i pazakontë...
Si Donald Trump ashtu edhe Vladimir Putin, folën për një bilanc pozitiv të bisedës së tyre të dytë telefonike pas asaj të 18 marsit. Por presidenti rus, hodhi poshtë idenë e një armëpushimi të menjëhershëm në Ukrainë dhe të një takimi ballë për ballë me presidentin amerikan, ndonëse e la të hapur mundësinë e një memorandumi me Kievin për një “traktat të mundshëm paqeje në të ardhmen” në të cilin do të vendoset një armëpushim i kushtëzuar nga arritja e marrëveshjeve përkatëse.
Dukej sikur Putini po ndjek strategjinë e zvarritjes, por në realitet e përsëriti kërkesën e njohur tashmë për të eliminuar “shkaqet rrënjësore të konfliktit”. Por elementi i ri është hyrja e Vatikanit në negociata të drejtpërdrejta midis dy fuqive. Ne diskutuam mbi këtë çështje me Aldo Ferrarin, profesor i gjuhës dhe letërsisë armene dhe i historisë së Euroazisë në Universitetin e Venecias.
Trump ka ofruar gatishmërinë e Vatikanit për të pritur bisedimet e paqes. Si e gjykoni këtë propozim të veçantë?
Nuk mendoj se Vatikani ka shumë shanse për të vepruar konkretisht midis dy vendeve jo-katolike si Rusia dhe Ukraina. Mendoj se zgjidhja duhet të gjendet diku tjetër.
Moska përsëriti një kërkesë të mirë-njohur: “aspekti më i rëndësishëm është eliminimi i shkaqeve rrënjësore të konfliktit”. Pse kjo këmbëngulje tek arsyet themelore?
Kërkesat e Moskës janë shumë të qarta. Nëse situata nuk ndryshon, shumëkush mund të dyshojë se Uashingtoni dhe kryeqytetet e vendeve kryesore të Evropës shtiren sikur nuk i kuptojnë, ose ato janë kërkesa që ata nuk duan t’i pranojnë.
A jeni mosbesues?
Jo, por nëse i përmbahemi fakteve, Rusia vazhdon të përsërisë kërkesat e përfshira tashmë që në Marrëveshjet e Minskut II, dhe të përsëritura para pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022: trajtim më i mirë për qytetarët rusë ose rusisht-folës të Ukrainës, dhe një angazhim zyrtar nga Ukraina se nuk do të hyjë në NATO.
Dhe a nuk kanë ndikuar zhvillimet në këto kërkesa?
Përkundrazi. Rusia pushtoi Ukrainën pikërisht sepse kërkesat e saj nuk u plotësuan. Në 3 vjet luftë, megjithëse gjërat nuk shkuan menjëherë mirë në nivel ushtarak, ajo ka pushtuar pothuajse tërësisht 2 rajone - Donetskun dhe Luganskun - dhe gjysmën e dy rajoneve të tjera - Kherson dhe Zaporizhzhia dhe aktualisht është në gjendje të vazhdojë edhe pse ngadalë përparimin e saj.
Këto janë kërkesa e Rusisë, dhe për to duhet të flitet. Në këtë pikë, nëse marrim parasysh se qëndrimi i Ukrainës është rimarrja e territoreve, dhe që kjo kërkesë mbështetet ende nga vendet evropiane, është praktikisht e pamundur të arrihet një zgjidhje e shpejtë e konfliktit.
Pra fundi 24-orësh i luftës nga ana e Trumpit ka rezultuar të jetë një mirazh...
Ose Trump ishte i mashtruar, ose ndoshta thjesht po bënte fushatë. Ose ndoshta nuk e kishte studiuar me një kujdes të mjaftueshëm dosjen e Ukrainës.
Pas bisedës me Putinin, Trump pritet të konsultohet me udhëheqësit e Francës, Britanisë, Gjermanisë dhe Italisë. Çfarë do t’u thotë ai?
Nuk e dimë. Por nëse synon ta bëjë Rusinë më bashkëpunuese, Trump duhet t’i bindë udhëheqësit e qeverive evropiane që të heqin dorë nga qëllimet e tyre për mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksione të reja. Këto të fundit kanë rezultuar joefektive për vite me radhë. Rusia ka qenë gjithmonë në gjendje të përshtatet dhe ekonomia e saj, pavarësisht disa shenjave paralajmëruese, vazhdon të rezistojë.
A është marrëveshja mbi lëndët e para e aftë t’i ofrojë Ukrainës garancitë e sigurisë që kërkon Zelensky?
Së pari duhet të jemi shumë të kujdesshëm në gjykimin e saj, pasi duhet lexuar në detaje. Aktualisht nuk dimë mjaftueshëm për të. Së dyti, marrëveshja mbron shumë më tepër interesat ekonomike të SHBA-së se ato të Ukrainës. Së fundmi, siç e kanë pranuar disa analistë, asgjë nuk duket se e pengon Uashingtonin ta zbatojë atë edhe në territoret e pushtuara nga Rusia.
Pra cili është kuptimi politik i këtij pakti?
SHBA-ja arriti të garantojë një shfrytëzim fitimprurës të nëntokës ukrainase, në këmbim të mbështetjes ushtarake dhe ekonomike të ofruar gjatë 3 viteve të luftës, por edhe më herët. Unë besoj se Ukraina do të penalizohet prej saj, por e nënshkroi sepse nuk kishte zgjidhje tjetër.
As atë të mbështetjes tek Europa?
Pavarësisht parave të grumbulluara dhe deklaratave nga ana e “të gatshëmve”, mbështetja evropiane, është ende e pasigurt dhe joefektive, sepse BE-ja nuk ka forcë të mjaftueshme politike dhe ushtarake.
Cila është ambicia e vërtetë strategjike e Moskës?
Kur Trump u rizgjodh, Moska ringjalli menjëherë shpresën e saj për të realizuar një ëndërr që ishte ushqyer prej dekadash edhe në epokën sovjetike: ndarjen e Shteteve të Bashkuara nga Evropa. Por nëse Trump e gënjen veten duke menduar se mund ta përfundonte luftën brenda një dite, edhe Kremlini e ka mashtruar veten se dekada të tëra bashkëpunimit transatlantik, mund të merrnin fund vetëm sepse një president i pazakontë kishte marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë.
Pra a mendoni se është e pamundur një ndarje midis dy anëve të Atlantikut?
Po, dhe kam frikë se përballja, jo vetëm ushtarake dhe gjeopolitike, por edhe kulturore, midis Rusisë dhe Perëndimit do të vazhdojë./ Përshtati "Pamfleti" nga "Il Sussidiario"
Lini një Përgjigje