TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shkurt 2025, 13:23

Strategjia që duhet të ndjekë SHBA për negociatat e paqes Rusi-Ukrainë

Shkruar nga Thomas Wright
Strategjia që duhet të ndjekë SHBA për negociatat e paqes
Zelensky /

Strategjia e SHBA-së duhet të jetë krijimi i një dileme për Rusinë, mbi llojin e Ukrainës me të cilën ajo mund të përballet...

Ukraina ka një peshë të konsiderueshme në negociatat e ardhshme me Rusinë, por kjo për sa kohë që Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kievit dhe ndjekin një strategji negociuese, e cila krijon dilema reale për Moskën.

Mbështetja e SHBA-së për Ukrainën është vënë në dyshim javët e fundit, pas një morie komentesh nga zyrtarë të administratës Trump, që kanë ofruar lëshime të njëanshme për Moskën dhe kritikuar ashpër Ukrainën. Bisedimet dypalëshe Rusi-SHBA në Riad, i kanë shtuar shqetësimet në Ukrainë dhe Evropë.

Por këto lëvizje janë zgjedhje dhe jo një domosdoshmëri. Një marrëveshje e mirë është ende e arritshme, nëse Uashingtoni është i gatshëm që ta ndjekë atë. Trump duhet të hyjë në këto negociata me një ndjenjë të qartë të interesave të SHBA-së, një diagnozë të saktë të problemit që do të zgjidhet, një renditje të preferuar të rezultateve të mundshme, si dhe me një strategji se si të përmbushë objektivin e saj.

Nëse e bën këtë, mund të sigurojë një Ukrainë të lirë dhe të pavarur, me aftësinë për të mbrojtur veten dhe për të penguar sulmet e ardhshme. Por nëse Shtetet e Bashkuara nuk arrijnë ta ndihmojnë Ukrainën që të shfrytëzojë avantazhin që ka në prag të bisedimeve, do t’i japë Moskës një kamerdare shpëtimi, të cilin ajo do ta përdorë jo vetëm në përpjekjen e saj për të dominuar Ukrainën, por edhe për të dëmtuar interesat e SHBA-së në nivel global.

Gjatë vitit të fundit, administrata Biden, në të cilën unë shërbeva si drejtor i lartë për planifikimin strategjik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e përgatiti Ukrainën për bisedimet e këtij viti, pavarësisht se kush do të fitonte zgjedhjet presidenciale.

Pas kundërsulmit të pasuksesshëm të vitit 2023, administrata e ndihmoi Ukrainën të krijonte 3 mënyra, të cilat do të dobësonin aftësinë e Moskës për të vazhduar luftën. E para ishte mbështetja e strategjisë së gërryerjes asimetrike.

Sipas Departamentit të Mbrojtjes, që nga fillimi i luftës të vrarët dhe të plagosurit nga ushtria ruse janë mbi 700.000. Pra mesatarisht 1.500 në ditë. Përpjekjet e Moskës për t’u furnizuar me trupa nga Koreja e Veriut duket se kanë dështuar. Numri i viktimave ka qenë aq i lartë, sa që Pheniani nuk dërgoi shumë më tepër.

Prandaj, nëse dëshiron të zhvillojë një luftë të gjatë, presidenti rus Vladimir Putin po përballet me mundësinë e një mobilizimi të ri këtë vit, të cilin është përpjekur ta shmangë për t’i mbrojtur rusët e zakonshëm nga realiteti i dhimbshëm i frontit të betejës.

E dyta ishte mbështetja e fushatës së sulmeve të Ukrainës me armët me rreze të gjatë. Dhe e treta zgjerimi i sanksioneve ndaj Rusisë, përfshirë 50 banka dhe sektorin e saj energjetik, me qëllim ndërlikimin e aftësisë së Moskës për të financuar një luftë të gjatë.

Rezultati është se Rusia ka ngecur. Moska po synon ende ta dominojë Ukrainën, por ajo po merr vetëm copa të vogla territori në Ukrainën Lindore me shumë pak perspektivë për të bërë përfitime gjithëpërfshirëse.

Disa vëzhgues dhe politikë-bërës, përfshirë në administratën Trump, besojnë se rezultati i luftës në Ukrainë ka pak rëndësi për Shtetet e Bashkuara, dhe se siguria evropiane ka qenë shpërqëndruese në raport me sfidën kryesore strategjike të SHBA-së për t’iu kundërvënë Kinës.

Megjithatë, edhe nëse dikush i sheh interesat kombëtare të SHBA-së përmes prizmit të “Amerika e Para”, dhe nuk e cilëson me shumë vlerë ruajtjen e një rendi të bazuar në rregulla ose në forcimin e NATO-s, Shtetet e Bashkuara kanë të paktën 4 interesa thelbësore në parandalimin e fitores së Rusisë në Ukrainë, dhe në sigurimin e një Ukraine të lirë dhe sovrane.

Së pari, që nga fillimi i luftës, Rusia e ka thelluar ndjeshëm bashkëpunimin e saj me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin. Ajo ka marrë ndihmë të rëndësishme nga secili prej tyre, përfshirë pjesë për makineritë, mikroelektronikën dhe bashkëprodhimin e armëve.

Në këmbim, Kremlini ka ofruar ndihmë të paprecedentë ushtarake dhe teknologjike për secilin. Ky bashkëpunim, është i qëndrueshëm dhe përbën një kërcënim real për interesat e SHBA. Nëse Rusia fiton në Ukrainë, kjo do të jetë edhe një fitore për secilin nga tre partnerët e saj, pa të cilët Moska do të kishte humbur tashmë.

Madje kjo aleancë do të thellohej, dhe s’ka asnjë perspektivë që një marrëveshje paqeje të sjellë përçarje midis Rusisë dhe Kinës. Po ashtu, Kina do të inkurajohet nga një fitore e Rusisë në lidhje me synimin e rimarrjes së Tajvanit.

Së dyti, mbijetesa e një Ukrainë të lirë dhe të pavarur do të jetë e dobishme për Shtetet e Bashkuara. Ushtria ukrainase do të dalë nga lufta si e treta më e madhe në Evropë, pas Rusisë dhe Turqisë. Ajo ka qenë pioniere e zhvillimeve teknologjike kohët e fundit, veçanërisht në luftën me dron dhe përdorimin në luftime të Inteligjencës Artificiale.

Kievi do ta ndajë këtë teknologji me Shtetet e Bashkuara, dhe do të ndihmojë Evropën të rindërtojë bazën e saj industriale të mbrojtjes. SHBA-ja ka mësuar shumë nga Ukraina mbi të ardhmen e luftës. Kjo e fundit ka të ngjarë të jetë një aleate e fortë dhe e besueshëm për Shtetet e Bashkuara në pjesë të tjera të botës, përfshirë Indo-Paqësorin, ku mund të këshillojë dhe forcojë aleatët e SHBA-së.

Së treti, një fitore e Rusisë në Ukrainë, do të rriste ndjeshëm kërcënimin për disa shtete evropiane që janë shumë pro-amerikane dhe që shpenzojnë një përqindje të lartë të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Këtu përfshihen vendet baltike dhe Polonia.

Së fundi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, Shtetet e Bashkuara kanë një interes madhor për një Evropë të qëndrueshme dhe paqësore. Evropa është burimi më i madh i SHBA-së për investimet e huaja, tregu më i madh i eksportit, dhe një aleat kyç që është në një linjë me Uashingtonin mbi çështjet qendrore të politikës botërore.

Nëse negociatat shkojnë keq dhe sjellin një fitore të Moskës ruse, ajo do të krijojë një vrimë të zezë gjeopolitike në Evropë, dhe mund të mbjellë “farat” e konflikteve të ardhshme që mund të përhapen përtej Ukrainës

Prandaj, detyra për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duhet të jetë e qartë: të punojnë me Kievin për një rezultat që do të siguronte një Ukrainë të lirë dhe të pavarur, me aftësinë për të mbrojtur veten dhe për të penguar një sulm të ardhshëm, dhe më pas të bindin Putinin që ta pranojë atë.

Palët e ndryshme në negociata, kanë folur për 4 skenarë. I pari është anëtarësimi në NATO për Ukrainën, me garancitë e Nenit 5. I dyti është modeli i Izraelit, ku Uashingtoni i ofron ndihmë të mjaftueshme ushtarake dhe të inteligjencës për t’i dhënë mundësi Ukrainës të pengojë apo edhe të mposhtë forcat ruse, pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë nga vendet e tjera.

Skenari i tretë përqendrohet tek një garanci evropiane e sigurisë, edhe pse ka shumë paqartësi se si do të arrihej kjo. Skenari i katërt, do të varet nga neutraliteti i Ukrainës. Në këto kushte, strategjia e SHBA-së duhet të jetë krijimi i një dileme për Rusinë, mbi llojin e Ukrainës me të cilën ajo mund të përballet./Pamfleti nga “Foreign Affairs”

strategjia usa bisedimet e paqes rusia ukraina

Lini një Përgjigje