Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka deklaruar se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit mbetet i brishtë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten dhe rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Gjatë një turi në vendet e Gjirit, me ndalesa në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein, Starmer theksoi se marrëveshja aktuale është e paqëndrueshme.
“Mendoj se ekziston një ndjesi e përgjithshme se është e brishtë, se ka punë për t’u bërë në lidhje me të. Kjo kërkon më shumë sesa vetëm fjalë. Kërkon shumë veprime”, tha Starmer.
Situata është përkeqësuar pas vendimit të Teheranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës, si reagim ndaj sulmeve izraelite në Liban.
Sulmet dhe kundërpërgjigjet kanë prekur edhe vendet e Gjirit, ku janë raportuar goditje me raketa dhe dronë ndaj bazave dhe infrastrukturës energjetike.
Pas takimeve me liderët e rajonit, Starmer theksoi ndikimin e sulmeve. "Atmosfera është shumë e tronditur nga fakti që ata u sulmuan… dhe nga intensiteti i sulmeve”, tha Starmer.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për aleatët dhe stabilizimin e situatës.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar tronditje në tregjet globale, me rritje të çmimeve të energjisë dhe shqetësime për krizë ekonomike. Starmer kërkoi që kjo rrugë strategjike të mbetet e hapur dhe paralajmëroi gjithashtu se Irani nuk duhet ta përdorë këtë pikë si mjet presioni.
“Por jam shumë i qartë se është shumë e rëndësishme që ne të qëndrojmë pranë aleatëve tanë të hershëm dhe të jemi këtu duke treguar mbështetjen tonë dhe duke reflektuar mbi punën që po bëjmë së bashku. Dhe për ta, një ndjenjë se ne jemi një mik që ka ardhur në këtë kohë për të zhvilluar këto diskutime vërtet të rëndësishme me ta dhe për t'u siguruar që armëpushimi të jetë një armëpushim i përhershëm dhe që Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur", tha ai.
Lini një Përgjigje