Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, deklaroi se lufta me Iranin ka vënë në provë qëndrueshmërinë e NATO-s, duke e cilësuar situatën si një “test rezistence” për aleancën.
Merz theksoi se nuk dëshiron që tensionet aktuale të rëndojnë më tej marrëdhëniet transatlantike. Ai bëri të ditur se ka diskutuar me presidentin amerikan Donald Trump për të ardhmen e NATO-s gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të mërkurën dhe ka propozuar vijimin e këtyre diskutimeve përpara samitit të aleancës që pritet të mbahet në Ankara në korrik.
“Është synimi im i qëndrueshëm të bëj gjithçka për të ruajtur mbrojtjen e NATO-s për Evropën, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, deklaroi ai, duke shtuar se aktualisht nuk ekziston një alternativë ndaj kësaj aleance dhe se ajo duhet të ruhet dhe zhvillohet më tej në bashkëpunim me Uashingtonin.
Në të njëjtën kohë, kancelari gjerman shprehu shqetësim për veprimet ushtarake të Izraelit në jug të Libanit. Ai paralajmëroi se intensiteti i operacioneve mund të dëmtojë përpjekjet për paqe në rajon.
Sipas tij, Gjermania dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë i kanë kërkuar Izraelit të ndalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të sulmeve. Paralelisht, ministri i Jashtëm gjerman ka zhvilluar dy biseda me homologun izraelit.
Merz njoftoi gjithashtu se qeveria gjermane do të rifillojë kontaktet me Iranin, në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë, me synimin për të mbështetur procesin e negociatave për paqe.
Lini një Përgjigje