
Pas armëpushimit të rënë dakord në Lindjen e Mesme, qeveria gjermane po rifillon bisedimet me qeverinë iraniane. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se qëllimi është të kontribuohet në suksesin e negociatave të ardhshme midis SHBA-së dhe Iranit për t'i dhënë fund luftës në rajon.
Ai u shpreh i gatshëm gjithashtu që pas marrëveshjes SHBA-Iran, të japë ndihmën e nevojshme për të siguruara Ngushticën e Hormuzit.
“Një dritare mundësie për një zgjidhje të negociuar tani po hapet, por situata mbetet e brishtë. Qeveria gjermane synon të vazhdojë të mbështesë procesin diplomatik dhe është e përgatitur të stabilizojë një paqe, nëse ka sukses. Pas një marrëveshjeje paqeje, Gjermania gjithashtu mund të ndihmojë në sigurimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, kjo kërkon një mandat dhe një plan të zbatueshëm", tha Merz.
Merz njoftoi se do të flasë me Kryeministrin pakistanez në telefon më vonë sot. Për më tepër, një ekip negociator është nisur për në Pakistan për të zhvilluar bisedime me Teheranin.
Nga ana tjetër, Merz kritikoi sjelljen e Izraelit në luftën në Liban, duke theksuar se brutaliteti me të cilin ata po sulmojnë mund të prishë procesin e negociatave.
"Brutaliteti me të cilin Izraeli po zhvillon luftë atje mund të prishë të gjithë procesin e paqes. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë", tha kancelari Friedrich Merz, teksa shtoi se ai dhe krerë të tjerë shtetesh i kishin kërkuar dje qeverisë izraelite të ndalonte sulmet e saj të intensifikuara.
Merz tha se ata e shihnin situatën në të gjithë rajonin me shqetësim të madh, por me shqetësim të veçantë situatën në Libanin jugor.
Pavarësisht armëpushimit në Luftën Iran-Irak, Izraeli bombardoi të mërkurën objektiva të shumta në Liban në përleshjen e tij me milicinë Hezbollah, përfshirë kryeqytetin, Bejrut.
Lini një Përgjigje