
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshkroi takimin me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, si të sinqertë.
“Siç do të thoshin në qarqet diplomatike, këto biseda ishin të sinqerta dhe të hapura... të sinqerta. Por kjo është mirë. Presidenti, unë, ne e pëlqejmë njëri-tjetrin, kemi qenë miq të mirë për shumë vite tani dhe do të preferoja që biseda të zhvillohej në tavolinë. E ndjeva zhgënjimin e tij për faktin se mendonte se shumë aleatë nuk ishin me të”, tha Rutte pas një fjalimi në Institutin Ronald Reagan.
Rutte deklaroi më tej se NATO e së ardhmes do të jetë një aleancë që nuk do të jetë e varur në mënyrë të pashëndetshme nga SHBA-ja. Ai shton se SHBA-të do të kenë aleatë që janë të aftë dhe të gatshëm, të gatshëm dhe të aftë për të mbrojtur sigurinë e aleancës.
“Do të ndërtojmë një NATO më të fortë me anëtarët që veprojnë shpejt për të siguruar buxhetin dhe për të rritur forcat e tyre të armatosura. Edhe me këtë përparim, është e qartë se do të na duhet më shumë", tha ai.
Duke folur për kritikat e Trumpit ndaj vendeve të aleancës, Rutte tha se disa anëtarë të NATO-s ishin “pak të ngadaltë” në ofrimin e mbështetjes ndaj SHBA-së në luftën e saj në Iran. Rutte justifikoi faktin se Donald Trump ua mbajti të fshehtë planet aleatëve me pretekstin për të ruajtur elementin e surprizës për sulmet fillestare ndaj Iranit.
"Me thënë të drejtën, edhe ata ishin pak të befasuar. Ajo që shoh kur shikoj nëpër Evropë sot është se aleatët ofrojnë një sasi të madhe mbështetjeje... për të siguruar që ushtria e fuqishme amerikane të ketë sukses në mohimin e një arme bërthamore për Iranin. Aleatët po bëjnë gjithçka që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë”, shtoi ai.
Sa i takon bllokimit të Ngushticës, Rutte lavdëroi kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer për "udhëheqjen" e tij në ndërtimin e një koalicioni për të nxitur rihapjen Hormuzit. Rutte shtoi se ky është një shembull i asaj që po bëjnë aleatët për t'u përballur me situatën.
"Kjo ka të bëjë me mbështetjen praktike. Kjo është arsyeja pse kemi aleatë, koalicion... kjo nuk është vetëm për vendet e NATO-s", shtoi Rutte.
Në fund Rutte është përpjekur të sqarojë situatën në lidhje me përdorimin e termit "baba" kur i referohet Donald Trump, duke thënë se është një gabim në përkthim.
Lini një Përgjigje