TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Prill 2026, 17:00

Mbijeto sot, që të ndryshosh nesër? Irani dhe mësimi strategjik i Luftës së Tretë të Gjirit

Shkruar nga Andrea Muratore
Mbijeto sot, që të ndryshosh nesër? Irani dhe mësimi
Irani /

Për Republikën Islamike, kjo luftë mund të kishte qenë fillimi i fundit. Ose fundi vetë. Nuk ndodhi ashtu. Por me siguri, ishte fundi i një fillimi të ri. Një strukturë e lindur në vitin 1979 do të duhet detyrimisht të ndryshojë. Paralajmërimi i protestave ishte i qartë, ndërsa sfida e luftës e konfirmoi...

Irani mund ta pretendojë si sukses perspektivën e përfundimit të Luftës së Tretë të Gjirit, e cila po hapet pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga Pakistani, ku Teherani u bashkua me SHBA-në dhe Izraelin. Teherani nuk është vetëm metaforikisht në qendër të vëmendjes së botës.

Ai mund të pretendojë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, i ka shkaktuar dëme ekonomisë globale dhe sistemit të udhëhequr nga SHBA-ja, ka dëshmuar ekzistencën e perimetrave alternativë ndaj dominimit amerikan në Azinë Jugperëndimore dhe në dy raste (qershor 2025, shkurt-prill 2026), ka zmbrapsur sulmin strategjik të Izraelit.

Irani nga lufta në pasluftë

E gjitha kjo ndodhi në një kontekst ku vendi ishte i mbytur nga sanksionet ndërkombëtare dhe i tronditur nga trazirat e brendshme e protestat që shpërthyen mes dhjetorit 2025 dhe janarit 2026.  Regjimi dukej gjithnjë e më i sklerotizuar, siç u pa nga fjalët e të Ayatollah Ali Khamenei të ndjerë përballë zgjimit të “Bazarit” dhe revoltave të fillimvitit, të cilat ishin plotësisht të shkëputura nga realiteti i brendshëm i shtetit.

Lufta ekzistenciale, përmes së cilës regjimi synoi të mbronte mbijetesën e tij, në një farë mënyre solli një qartësi brutale. Së pari, sulmi i jashtëm përshpejtoi fundin e epokës së vjetër të Republikës Islamike me vdekjen e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.

Ky i fundit, si President i Republikës dhe Rahbar (Udhëheqës), e kishte identifikuar veten me institucionin e themeluar nga Ruhollah Khomeini. Eleminimi i tij e vendosi sistemin përballë domosdoshmërisë për t’u përtërirë.

Drejt një Republike të re Islamike?

Së dyti, kompaktesia e regjimit e detyruar nga lufta, nxori në pah raportet e forcës dhe ndikimit. Pas vdekjes edhe të Ali Larijanit - strategut që më shumë se kushdo kishte një plan për periudhën pas-Khamenei në formën e një tranzicioni drejt një sistemi hibrid midis “diktaturës ushtarake” të Pasdaranëve (Gardës Revolucionare) dhe një teknokracie — Irani u shfaq si një bashkësi kupolash pushteti me një ndarje të gjerë të punëve.

Fytyra diplomatike, Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ishte imazhi i vendit përballë botës dhe mbajti të hapur ndërmjetësimin me Pakistanin. Kryetari i Parlamentit, Mohammad Ghalibaf, e mbajti regjimin të bashkuar në frontin e brendshëm.

Kreu i shtetit, Masoud Pezeshkian, u foli drejtpërdrejt amerikanëve si një figurë moderate. Udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei, nuk u shfaq në publik, por Axios ka raportuar se ai ishte i pranishëm dhe vendimtar në nisjen e negociatave për armëpushim.

Siguria e Iranit

Pika e tretë: konflikti mund të hapë perspektivën për një ekuilibër të ri rajonal. Dhjetë pikat e propozimit iranian për paqe, përfshijnë qëndrime më dinamike mbi menaxhimin e Hormuzit, të cilin Teherani kërkon ta kontrollojë.

Kjo synon të garantojë atë ndjenjë të sigurisë strategjike që humbja e projeksionit të “Boshtit të Rezistencës” në Lindjen e Mesme dhe ngurrimet në lidhje me çështjen bërthamore e kishin bërë më pak të sigurt për Iranin.

Në këtë kuadër, është e qartë se nëse për Iranin do të ketë një periudhë paslufte (dhe këtë do ta marrim vesh brenda dy javësh), vendi do të duhet të ndryshojë. Lufta e ka mbajtur peng vendin rreth arrmiqësisë ndaj SHBA-së dhe Izraelit.

Por për shkak të ndryshimit të krerëve të lartë - të imponuar nga vdekjet e rëndësishme gjatë luftës - dhe dinamikave të reja, do të jetë e pamundur për Republikën Islamike të mbajë të njëjtën trajektore të mëparshme.

Protestat masive të viteve 2025-2026, ishin një këmbanë e fuqishme alarmi. Kurrëfarë retorike triumfaliste mbi fundin e luftës, nuk do të mund të fshijë faktin se kombi iranian gjendet në kushte të pasigurta ekonomike, me një rini të pakënaqur dhe me dëshirë për ndryshim.

Të fitosh luftën për të fituar paqen

Irani i rezistoi sulmit që synonte të përmbyste regjimin (i cili mbetet i palëkundur në pushtet) dhe pa se si opozita mbeti pa zë ose e pafuqishme përballë përshkallëzimit maksimalist të Trump ditët e fundit, gjë që skualifikoi plotësisht figura si Mohammad Reza Pahlavi.

Regjimi rigjeti unitetin kombëtar përballë forcave centrifugale mbi të cilat bënte presion Izraeli. Për Republikën Islamike do të ishte shkatërruese të shpërdoronte këtë dritare të padyshimtë mundësish për të garantuar më shumë liri ekonomike, më shumë perspektiva punësimi, më shumë të ardhme, dhe për të treguar një embrion të përparimit të regjimit.

Irani do ta kishte fituar luftën duke mbijetuar dhe duke mos humbur.

Nëse do të jetë kështu, sfida e vërtetë do të jetë fitimi i pasluftës. Nëse garantohet siguria rajonale, do të shfaqet edhe perspektiva e sigurisë ekonomike. Mbetet të presim për të kuptuar nëse Teherani do të arrijë të ushtrojë presion për të përfituar lehtësim nga sanksionet.

Apo nëse Pasdaranët do të mbajnë kontrollin mbi ekonominë e mbrojtur brenda vendit, dhe nëse aventurat ushtarake të regjimit do të vazhdojnë të gllabërojnë burime të çmuara.

Në këto dy javë do të kuptohet shumë për Iranin që po vjen.

Për Republikën Islamike, kjo luftë mund të kishte qenë fillimi i fundit. Ose fundi vetë. Nuk ndodhi ashtu. Por sigurisht që ishte fundi i fillimit. Dhe një strukturë e lindur në vitin 1979 do të duhet detyrimisht të ndryshojë.

Paralajmërimi i protestave ishte i qartë. Sfida e luftës e konfirmoi. Irani nuk mund të ekzistopjë në një plan afatgjatë në një gjendje emergjencë të përhershme. Zgjidhja e këtij problemi do të jetë vendimtare për të ardhmen e Teheranit./Pamfleti nga ”Inside Over”

mësimi strategjik lufta e tretë e gjirit

Lini një Përgjigje