Spanja ka mohuar se po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara dhe se po jep akses në bazat e saj ushtarake për operacione kundër Iranit.
Deklarata vjen pasi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha më herët se Spanja “ka rënë dakord të bashkëpunojë me ushtrinë amerikane” gjatë orëve të fundit.
Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, kundërshtoi publikisht këtë pretendim gjatë një interviste për radion Cadena Ser.
“Mund ta kundërshtoj zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë. Qëndrimi i qeverisë spanjolle në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme, bombardimin e Iranit dhe përdorimin e bazave tona nuk ka ndryshuar aspak”, deklaroi Albares.
Më herët, Madridi kishte refuzuar kërkesën e Uashingtonit për përdorimin e bazave ushtarake spanjolle në operacionet kundër Iranit, një vendim që shkaktoi reagim të ashpër nga presidenti amerikan Donald Trump. Ai kërcënoi se mund të ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Spanjën.
Megjithatë, burime diplomatike amerikane thanë për "Sky News" se qëndrojnë pas deklaratave të Shtëpisë së Bardhë dhe se Spanja pritet të bashkëpunojë me SHBA-në në këtë çështje.
Lini një Përgjigje