Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka komentuar për herë të parë publikisht spekulimet që qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me videot intime të Mirjana Pajkoviç, ish-drejtoreshë e Drejtorisë për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mal të Zi.
Gjatë një interviste televizive, moderatori e pyeti në mënyrë provokuese nëse ai mund të ishte i përfshirë në ndonjë prej regjistrimeve që kanë shkaktuar debat të madh në opinionin publik rajonal. Abazoviq e mohoi menjëherë një gjë të tillë.
“Nuk ka asgjë. Unë nuk jam aty”, deklaroi ai me qetësi dhe buzëqeshje.
Moderatori vijoi me pyetje nëse ai ndihej i shqetësuar për mundësinë e publikimit të materialeve të tjera komprometuese, por ish-kryeministri u shpreh se nuk kishte asnjë arsye për shqetësim.
“E di shumë mirë si funksionojnë këto gjëra. Kam kaluar nëpër sitë e sitë dhe nuk dua të flas shumë për këtë temë”, tha Abazoviç.
Ai shtoi se gjatë viteve në politikë kishte kuptuar mënyrat me të cilat, sipas tij, grupet e krimit të organizuar përpiqen të ushtrojnë presion ose të komprometojnë figura publike.
“E kuptova menjëherë se çfarë donin të bënin njerëzit nga krimi i organizuar. Kjo është pjesë e metodave të tyre”, deklaroi ai.
Në vijim të intervistës, Abazoviq tha se fakti që për vite me radhë nuk kishte qenë “njeri familjar” kishte qenë një avantazh në përballjen me sulme të tilla personale dhe politike.
I pyetur nëse ndihej ende “mbi situatën”, ai reagoi duke hapur krahët dhe duke thënë:
“Gjithmonë mbi situatën. Jam shumë, shumë i kënaqur.”
Në fund të bisedës, moderatori e pyeti drejtpërdrejt nëse ndihej i qetë për çështjen e regjistrimeve, ndërsa Abazoviq u përgjigj shkurt:
“Jam plotësisht i relaksuar, shijoj gjithçka.”
Skandali me videot intime të Mirjana Pajkoviq ka tërhequr vëmendje të madhe në Mal të Zi dhe më gjerë. Sipas raportimeve të mediave malazeze, në një prej materialeve dyshohet se shfaqet edhe Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe aktualisht këshilltar i presidentit malazez Jakov Milatoviq.
Rasti ka nxitur reagime të shumta politike dhe mediatike në rajon, ndërsa vetë Pajkoviq ka deklaruar më herët se videot janë publikuar pa pëlqimin e saj.
Lini një Përgjigje