Autoritetet britanike arrestuan dje ish-princin Andrew Mountbatten-Windsor nën dyshimin për sjellje të keqe në ushtrimin e detyrës publike si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar. Hetimi lidhet me komunikime të zbuluara me email që përfshijnë Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzime seksuale.
Policia e mori në pyetje të enjten për dyshimet se kishte ndarë materiale konfidenciale me Epstein. Më pas e liroi nën hetim. Arrestimi nuk përfshin akuza për sjellje të pahijshme seksuale. Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje që lidhet me Epstein.
Zhvillimi ka nxitur reagime në Shtetet e Bashkuara.
Skye Roberts, vëllai i së ndjerës Virginia Giuffre, e cila ka deklaruar se ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2001 në moshën 17-vjeçare për të kryer marrëdhënie seksuale me Mountbatten-Windsor, reagoi pas arrestimit. Ish-princi i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Roberts krahasoi qëndrimin e autoriteteve britanike me atë të administratës amerikane. “Realiteti është se Mbretëria e Bashkuar po bën shumë më tepër. Mendoj se mbreti mund ta mbajë kokën lart kur vjen këtu duke thënë: ‘Po bëj më të mirën që mundem…’ Ndërsa këtu në Shtetet e Bashkuara, presidenti ynë ende nuk ka bërë as edhe një gjë të ngjashme. Dhe të mbijetuarit dhe populli janë shumë të zhgënjyer nga kjo”, tha ai.
Edhe Robert Garcia, anëtari i lartë i komitetit të mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkoi veprime nga Uashingtoni. “Arrestimi i Andrew Mountbatten-Windsor është një hap i madh përpara në luftën tonë për të siguruar drejtësi për të mbijetuarit e krimeve të tmerrshme të Jeffrey Epstein… Tani është koha që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund kësaj mbulimi nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti Trump dhe administrata e tij Epstein nuk janë mbi ligjin”, tha ai.
Ligjvënës amerikanë i kanë kërkuar Mountbatten-Windsor të paraqitet në SHBA për të dëshmuar mbi raportet e tij me Epstein. Dokumente të publikuara së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë tregojnë se emri i tij ka qenë në vëmendjen e autoriteteve për 15 vjet para arrestimit.
Maria Farmer, e cila denoncoi e para publikisht Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell, e cilësoi arrestimin si një hap drejt përgjegjësisë. “Le të kërkojmë tani që të gjitha dominot e pushtetit dhe korrupsionit të fillojnë të shemben,” shtoi ajo.
Edhe Marijke Chartouni, një tjetër e mbijetuar, kërkoi veprim të ngjashëm nga autoritetet amerikane. “Sikur Departamenti Amerikan i Drejtësisë të vepronte me kaq vendosmëri. Policisë britanike iu deshën më pak se tre javë nga publikimi i pjesës së fundit të dosjeve të Epstein për të arrestuar Andrew-n, duke i bërë Pam Bondi dhe Kash Patel të dukeshin gjithnjë e më të paaftë”, tha ajo.
Lini një Përgjigje