Kërcënimet e Presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e Groenlandës ishin “momenti i zgjimit” për gjashtë ekonomitë më të mëdha të Europës që të bashkohen dhe të përshpejtojnë reformën e tregjeve financiare, tha për POLITICO ministri spanjoll i Ekonomisë, Carlos Cuerpo.
Grupi i ri, i quajtur “E6” në Bruksel, është një klub ekskluziv i gjashtë ekonomive më të mëdha të BE-së, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Spanjës dhe Polonisë — i krijuar për të thyer ngërçet politike që kanë penguar përpjekjet për të ndërtuar një treg financiar të stilit amerikan gjatë dekadës së fundit.
Pa veprime konkrete, këto vende kanë frikë se ekonomia europiane do të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës, duke u gjendur nën presion në një botë gjeopolitike gjithnjë e më transaksionale.
Qëllimi është të vendosen “në tryezë diskutimet politikisht të vështira për të zhbllokuar dosjet që kanë mbetur të bllokuara deri më tani”, tha Cuerpo, i cili prej kohësh ka kërkuar që institucionet e BE-së të jenë më efektive në marrjen e vendimeve konkrete. “Ndërtimi i këtyre urave mund të jetë një hap i parë i mirë drejt një zgjidhjeje të përgjithshme.”
Klubi do të ndihmojë gjithashtu në koordinimin e qëndrimeve përpara takimeve të G7 me Kanadanë, Japoninë dhe SHBA-në mbi çështje strategjike, si sigurimi i aksesit në materiale të rralla kritike, pas kërcënimeve të Kinës për të kufizuar eksportet.
E6 është mbledhur vetëm dy herë dhe synon t’u paraqesë liderëve të BE-së propozime konkrete në samitin e ardhshëm të Këshillit Europian në mars.
Kritikë si Irlanda dhe Portugalia kanë shprehur shqetësimin se ky klub mund të nxisë një Europë me dy shpejtësi, ku vendet e mëdha anashkalojnë shtetet më të vogla që nuk bien dakord me agjendën e E6, veçanërisht për krijimin e një autoriteti mbikëqyrës për financat më të mëdha të bllokut.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka sugjeruar që vendet e BE-së të ndjekin integrimin financiar përmes “bashkëpunimit të zgjeruar” nëse Unioni i Kursimeve dhe Investimeve nuk përparon deri në qershor.
Për të përqendruar vëmendjen, von der Leyen do të paraqesë një udhërrëfyes me lista reformash dhe afatesh. Nisma e parë e rëndësishme e Komisionit do të jetë “regjimi i 28-të”, një kuadër ligjor në nivel të BE-së që do t’u ofrojë kompanive rregulla të unifikuara për të operuar lehtësisht në të gjithë bllokun.
Lindja e një supergrupi
Shkëndija që çoi në krijimin e E6 lindi gjatë një mëngjesi ministror në Bruksel në janar, kur zhgënjimi i Cuerpo për mungesën e veprimeve të BE-së arriti kulmin.
Trump kishte trazuar aleancën e NATO-s me kërkesat e tij për të “zotëruar” Groenlandën, menjëherë pas rrëzimit nga pushteti të liderit venezuelian Nicolás Maduro. Asnjë prej këtyre çështjeve nuk ishte përfshirë në axhendën mujore të Ecofin-it, duke shkaktuar reagimin e Cuerpo-s për mungesën e debatit politik mbi marrëdhëniet e Europës me SHBA-në.
Ministrat e Financave të Francës dhe Gjermanisë, Roland Lescure dhe Lars Klingbeil, kishin diskutuar një ditë më parë për ringjalljen e iniciativave ekonomike të BE-së. Brenda një jave u dërguan ftesat për një takim virtual të vendeve të E6.
Diskutimi i fundit u përqendrua në forcimin e zinxhirëve të furnizimit me materiale të rralla dhe përparimin e shpejtë të thellimit të tregjeve financiare të bllokut, përfshirë uljen e burokracisë dhe zbatimin e “regjimit të 28-të”.
Takimi i radhës i E6 më 9 mars do të fokusohet në nxitjen e investimeve në mbrojtje dhe promovimin e euros në skenën ndërkombëtare.
Reagime të përziera
Reagimet jashtë grupit kanë qenë të ndryshme. Disa besojnë se E6 mund të sjellë ndryshime reale, ndërsa të tjerë druhen se zërat e tyre do të mbyten në emër të progresit të shpejtë.
Ministri portugez i Financave, Joaquim Miranda Sarmento, u bëri thirrje gjashtë vendeve të respektojnë traktatet e BE-së gjatë mbledhjes së Eurogroup-it, pasi Klingbeil informoi kolegët për diskutimet e E6.
Ligjërisht, për të ndjekur “bashkëpunimin e zgjeruar” nevojiten të paktën nëntë vende. Për të miratuar legjislacion kërkohet mbështetja e 15 vendeve që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE-së, çka do të thotë se E6 do të ketë nevojë për aleatë për të çuar përpara objektivat e tij.
Ndërkohë, Cuerpo u bën thirrje vendeve skeptike të besojnë në një qasje të re përtej mekanizmave tradicionalë të Brukselit.
“Nuk ka vija të kuqe në diskutimet brenda këtij grupi,” tha ai. “Kjo duhet të jetë në të mirën e të gjithëve.”/Politico
Lini një Përgjigje