TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Maj 2025, 14:40

Skandalet e korrupsionit brenda dhe jashtë SHBA-së, Trump po shkon sërish drejt gjyqit në Kongres

Shkruar nga Freddy Gray

Skandalet e korrupsionit brenda dhe jashtë SHBA-së, Trump po shkon

Ndërsa vazhdon diplomacinë e tij faraonike botërore, historitë e korrupsionit po grumbullohen kundër tij...                     

Që nga zgjedhjet e nëntorit 2024, e deri në inaugurimin në detyrë në janar të këtij viti, analistët e medias e shpallën me radhë si të vdekur lëvizjen e “rezistencës” kundër Trump. Edhe unë isha midis tyre, sepse një përfundim i tillë ishte shumë joshës.

Ndërsa Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, pushteti i tij dukej i papërmbajtshëm.

Armiqtë e tij dukeshin të përçarë dhe të mundur. Por ne të gjithë folëm para kohe. “NeverTrumpism” (Kurrë me Trumpizmi), është një reagim aq i natyrshëm ndaj Trumpizmit sa që nuk është zhdukur dëshira për ta sfiduar dhe shkatërruar presidencën e tij. Në fakt, nëse e analizoni situatën nga afër, mund të shihni një “Rezistencë 2.0” që po merr vrull në përgjigje të administratës së dytë Trump.

Argumentet për fillimin e procedurave të fajësimit të Donald Trump (impeachment), po testohen që përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 2026 dhe ato do fokusohen sërish tek korrupsioni i dyshuar i familjes Trump dhe i bashkëpunëtorëve të saj përmes shumave të mëdha të parave që po marrin nga Lindja e Mesme.

Trump vizitoi dje Abu Dhabin, dhe duket se është marrosur nga marrëveshjet triliona dollarëshe që po nënshkruan.

“Dua të falënderoj median. Ajo ka qenë shumë e drejtë në raportim. Gjithsesi, e ka të vështirë të flasë keq për mua, sepse ky është një turne që do të mbledhë 3.5-4 trilionë dollarë”, tha ai pas takimit në Katar.

Të gjithë i duan shifrat e mëdha. Por Trump po e mashtron veten se nuk mund të ketë kritika ndaj turneut të tij të madh në Levant. Ekziston historia e “Katar Force One”, pra lajmi se Trump ka pranuar si dhuratë nga qeveria e Dohas një avion luksoz prej 400 milionë dollarësh.

Mendohet që ai të zëvendësojë avionin e vjetër Air Force One, dhe Trump u shpreh mosbesues ndaj reagimeve negative. “Vetëm një budalla, nuk do ta pranonte këtë dhuratë në emër të vendit tonë”- tha ai. Por mbështetësit më të zjarrtë të Izraelit në stafin e Trump, janë të pakënaqur me miqësinë e tij të re me udhëheqjen e Katarit, që sipas linjës zyrtare nga Tel Avivi, janë sponsorë shtetërorë të terrorizmit.

Në rast se Trump vazhdon përplasjet me Benjamin Netanyahun - dhe guxon të arrijë një lloj marrëveshjeje bërthamore me Teheranin - historia e dhuratës së avionit, do të cilësohet si prova e një pakti djallëzor me Vëllazërinë Myslimane.

Mos harroni se ishin akuzat për një ofertë të ngjashme ndaj Volodymyr Zelensky, ato që shkaktuan edhe fillimin e procedurave të fajësimit të Trumpit në vitin 2019. Por historia e avionit do të jetë vetëm një element në lëvizjen e re të rezistancës. Skandali më i madh që po afrohet është World Liberty Financial, biznesi i kriptomonedhave që djemtë Trump e nisën në Mar-a-Lago shtatorin e vitit të kaluar.

Nuk ka kaluar pa u vënë re që këtë muaj, një kompani investimi në Abu Dhabi, përdori një “stablecoin” të WLF për të investuar 2 miliardë dollarë në Binance, platforma online e kriptomonedhave. Bashkëthemeluesi i WLF është Zach Witkoff, djali i Steve Witkoff, i dërguari i Trump në Lindjen e Mesme.

Dhe i gjithë aktiviteti bie erë korrupsioni dhe konflikti interesi, ashtu si veprimtaria e Hunter Biden gjatë kohës që i ati ishte zëvendëspresident dhe më pas president i vendit.

Kriptomonedhat janë ende “Perëndimi i Egër” i së ardhmes dixhitale, plot operatorë të këqij, disa prej të cilëve janë shumë afër familjes së presidentit Trump.

Dhe historia e WLF, po lidhet tashmë me skandalin e monedhës $Trump - kriptomonedha padyshim e rreme, që presidenti ndihmoi të dilte në treg që javën e parë të inaugurimit të tij. Një numër bashkëpunëtorësh të Trump, fituan shumë para prej saj.

Demokratët pretendojnë se janë të tronditur nga paturpësia e përzierjes së interesave private të familjes Trump me interesat kombëtare dhe ndërkombëtare SHBA-së. “Është e vështirë të mos jesh njëkohësisht i tmerruar nga dëmi që mund të shkaktojë me një pushtet të tillë, dhe i mahnitur nga gatishmëria e tij për të thyer kaq shumë tabu”- tha për Axios Rob Malley, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes së Barack Obamës me Iranin në vitin 2015.

Por pa një shumicë në Kongres, kundërshtarët e Trump mbeten të pafuqishëm. Pastaj pyetja kthehet tek zgjedhjet e mesit të mandatit: nëse Trump e humbet avantazhin e tij të ngushtë në Kongres siç ndodhi në vitin 2018, demokratët do ta bëjnë “kleptokracinë” e Shtëpisë së Bardhë kauzën e tyre kryesore, dhe do të nisin procedurat e fajësimit (impeachment) me synimin për ta shkarkuar.

Sigurisht, nuk ka gjasa që ta largojnë nga detyra, pasi demokratët me siguri që nuk do të kenë mjaftueshëm vota në Senat për t’i dhënë fund presidencën Trump. Megjithatë, ndërsa Trump vazhdon diplomacinë e tij faraonike botërore, skandalet e korrupsionit po grumbullohen dhe do nisin të kthehen kundër tij.

Dhe nëse shumica e amerikanëve nuk fillojnë të ndihen më të pasur si rezultat i këtyre petro-trilionëve që po vërshojnë në ekonominë amerikane të dominuar nga teknologjia, për Trump do të nisë tatëpjeta./Përshtati "Pamfleti", nga “The Spectator”

skandalet e korrupsionit shba trump kongres gjyq

Lini një Përgjigje