
Gjigantët e teknologjisë e kanë kthyer luftën në Ukrainë në një laborator lufte të Inteligjencës Artificiale.
Gati një vit e gjysmë kanë kaluar që kur CEO i Palantir, Alex Karp u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe është përfshirë në punën e përditshme të një qeverie të huaj gjatë një kohe lufte në një mënyrë të paprecedentë. Plantir është një kompani publike amerikane që është e specializuar në platformat softuerike për analitikën e të dhënave.
Shumë agjenci ukrainase, duke përfshirë Ministritë e saj të Mbrojtjes, Ekonomisë dhe Arsimit, po përdorin produktet e kompanisë. Softueri i Palantir, i cili përdor Inteligjencën Artificiale për të analizuar imazhet satelitore, të dhënat me burim të hapur, pamjet e dronëve dhe raportet nga toka për t’u paraqitur komandantëve me opsione ushtarake, është “përgjegjës për shumicën e shënjestrave në Ukrainë”, sipas Karp.
Zyrtarët ukrainas thanë për ‘TIME’ se po përdorin analizat e të dhënave të kompanisë për projekte që shkojnë shumë përtej inteligjencës në fushën e betejës, duke përfshirë mbledhjen e provave të krimeve të luftës, pastrimin e minave tokësore, rivendosjen e refugjatëve të zhvendosur dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Palantir ishte aq i etur për të shfaqur aftësitë e veta, saqë ia dha ato Ukrainës pa pagesë.
Gjigantë si Microsoft, Amazon, Google dhe Starlink kanë punuar për të mbrojtur Ukrainën nga sulmet kibernetike ruse, për të migruar të dhënat kritike të qeverisë dhe për ta mbajtur vendin të lidhur, duke dhuruar qindra miliona dollarë për mbrojtjen e vendit.
Ukraina dhe aleatët e saj të sektorit privat thonë se po luajnë një lojë më të gjatë, atë të krijimit të një laboratori lufte për të ardhmen.
Lufta ka nxitur gjithmonë inovacionin dhe në epokën moderne, industria private ka dhënë kontribute kyçe në përparime si bomba atomike. Por bashkëpunimi midis kompanive të huaja të teknologjisë dhe forcave të armatosura të Ukrainës, të cilat thonë se kanë një inxhinier softuerësh të vendosur me çdo batalion, po nxit një lloj të ri eksperimentimi në Inteligjencën Artificiale ushtarake. Rezultati është një përshpejtim i ndryshimit më të rëndësishëm themelor në karakterin e luftës të regjistruar ndonjëherë në histori.
Lufta në Ukrainë është futur në një ngërç, me të dyja palët që po luftojnë me armë të shekullit të 20-të si artileri dhe tanke. Disa i shohin me skepticizëm pretendimet e përparimeve të teknologjisë së lartë, duke argumentuar se lufta ndikohet pak nga vendosja e mjeteve të Inteligjencës Artificiale.
Por Ukraina dhe aleatët e saj të sektorit privat thonë se po luajnë një lojë më të gjatë: krijimin e një laboratori lufte për të ardhmen, pasi terreni i Kievit i ofron të gjitha mundësitë.
Por nëse e ardhmja e luftës po testohet me Inteligjencën Artificiale në Ukrainë, rezultatet do të kenë pasoja globale. /Përshtati "Pamfleti" nga "Times"
Lini një Përgjigje