Pushtimi vetëm sa e ka përshpejtuar orientimin gjeostrategjik, ku presidenti Vladimir Putin ka gjetur partnerë të gatshëm tregtarë dhe investimesh, që nuk duken të frikësuar nga kërcënimi i sanksioneve...
Gati 2 vite pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, po shihet se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për ta dëmtuar ekonomikisht Moskën kanë jo pak të meta. Efektiviteti i sanksioneve perëndimore dhe i kontrolleve të eksporteve për të verifikuar zbatimin e tyre, është duke u dëmtuar shumë nga shmangia i konsiderueshme e sanksioneve dhe lidhjet ekonomike në rritje të Rusisë me Kinën dhe Indinë.
Ndërsa kufizimet tregtare e kanë dëmtuar pa asnjë dyshim ekonominë ruse, ajo mbetet ende elastike dhe me sa duket po vazhdon të mbështesë luftën në Ukrainë. Në fund të vitit të kaluar, Moska parashikoi një rritje ekonomike vjetore prej 2.8 për qind, pas rënies që pësoi në vitin 2022, kur u shtrëngua ndjeshëm ‘laku’ i sanksioneve pas pushtimit të Ukrainës.
Një rritje e shpenzimeve në mbrojtje, dhe çmimet e larta të naftës, kanë ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike. Ndërkohë duket se edhe kompanitë private ruse janë përshtatur mirë me realitetet e reja ekonomike. Njëkohësisht, vendi nuk ka pasur me eksodin e biznesit perëndimor që u parashikuar në fillim të konfliktit.
Shumë kompani perëndimore zgjodhën të qëndrojnë, disa duke kufizuar operacionet dhe investimet. Megjithatë, ato kontribuojnë ende me miliarda dollarë në arkat e Kremlinit. Gjithsesi, kushtet ekonomike bazë nuk janë të mira.
Normat e larta të interesit dhe inflacioni, një rubël e dobët dhe mungesa e madhe e fuqisë punëtore nuk parashikojnë asgjë të mirë, sidomos kur pjesa dërrmuese e rezervave të mëdha valutore janë ngrirë nga Perëndimi, dhe shumica e aseteve të sistemit bankar rus janë nën sanksione.
Është e vërtetë që ekonomia ruse është më e dobët nga sa ishte përpara pushtimit të Ukrainës. Por politikë-bërësit perëndimorë do të zhgënjehen kur të mësojnë se shmangia e sanksioneve dhe orientimi i Moskës në Lindje, kanë ndihmuar në mbajtjen në këmbë të vendit.
Një studim amerikan tregoi se në vjeshtën e vitit 2022, importet ruse kishin nisur të ngriheshin pas një rënie të madhe disamujore si pasojë e pushtimit. Menjëherë pas forcimit të sanksioneve perëndimore, dhe teksa forcat ruse përparuan thellë në Ukrainë, Moska u përpoq të anashkalonte kufizimet.
Ajo krijoi në fshehtësi një flotë cisternash për të shmangur masën tjetër ndëshkuese, kufirin ndaj çmimit të naftës të saj, duke synuar të rrisë importet paralele, mallra të eksportuara në vende të pa sanksionuara, që më pas ri-eksportoheshin në Rusi pa dijeninë apo pëlqimin e prodhuesve.
Moska e zyrtarizoi këtë praktikë në maj të vitit 2022, duke filluar nga pjesët e makinave deri tek mallrat e konsumit, të cilat ishte e mundur të importoheshin në këtë mënyrë. Perëndimi, dhe në veçanti SHBA-ja, ka synuar të ushtrojë presion mbi vendet eksportuese, sidomos mbi Turqinë, Kazakistanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Megjithatë, është e paqartë se sa efektive ka qenë kjo. Moska nuk duket shumë e shqetësuar. Ajo pretendoi në dhjetor se importet paralele arritën mbi 70 miliardë dollarë mallra gjatë 2 viteve të fundit. Ajo kishte nisur të zhvendosej drejt lindjes që përpara luftës në Ukrainë për të nxitur rritjen ekonomike.
Pushtimi vetëm sa e ka përshpejtuar orientimin gjeostrategjik, ku presidenti Vladimir Putin ka gjetur partnerë të gatshëm tregtarë dhe investimesh, që nuk duken të frikësuar nga kërcënimi i sanksioneve. Tregtia midis Rusisë dhe Kinës u rrit me gati 30 për qind, duke arritur në 200 miliardë dollarë në 11 muajt e parë të vitit të kaluar,
Ndërkohë eksportet kineze në Rusi u rritën me 50 për qind. Gjysma e eksporteve të naftës së Rusisë shkoi në Kinë në vitin 2023, dhe 40 për qind në Indi. Në përgjithësi, midis janarit dhe tetorit të vitit të kaluar, tregtia dypalëshe Rusi-Indi u dyfishua në mbi 50 miliardë dollarë.
Në aspektin ushtarak, Rusia i është drejtuar shteteve diktatoriale si Koreja e Veriut dhe Irani për të importuar armë. Po ashtu dyshohet se ajo po blen nga miq të tjerë teknologji me përdorime civile dhe ushtarake (që i nënshtrohen kontrolleve të eksportit), përfshirë Turqinë dhe Kinën.
Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Pekini jo vetëm që i ka ofruar Rusisë një ndihmë shumë të rëndësishme ekonomike, por ka të ngjarë edhe teknologji ushtarake, dhe ato me përdorim të dyfishtë, përfshirë pajisjet e lundrimit, teknologjinë e bllokimit dhe pjesët e avionëve luftarakë.
Instituti kërkimor me qendër në SHBA, Atlantic Council, vuri në dukje kohët e fundit se të dhënat zyrtare të tregtisë tregojnë “një rritje të madhe të importeve të mallrave të prodhuara nga kinezët, me një përdorim të rëndësishme në sektorin ushtarak, të cilat kanë luajtur një rol kyç” në mbajtjen të pajisur dhe të furnizuar të ushtrisë ruse për t’i rezistuar kundërofensivës së fundit të Ukrainës.
Varësia e Rusisë nga Kina për të zbutur ndikimin e sanksioneve është aq e madhe, sa që 1/5 e importeve të saj deri në fund të vitit 2022, raportohet të jetë faturuar në juanin kinez, teksa Pekini e ka shtuar ndjeshëm përdorimin e monedhës së saj për të paguar mallrat ruse.
Dhe ndërsa Perëndimi është përpjekur të dobësojë investimet e huaja në Rusi, Moska i është drejtuar Kinës për të mbushur disa nga boshllëqet e krijuara. Pekini, që ka bërë thirrje për një lidhje më të madhe ndërkufitare, ka investuar në projektet ruse të infrastrukturës së transportit.
Po ashtu, Kina ka rënë dakord të bashkëpunojë mbi një projekt të madh në sektorin minerar, ndërsa po shqyrton shfrytëzimin e përbashkët të rezervave të naftës dhe gazit, dhe ka në plan të bashkëpunojë për ndërtimin e një kompleksi të madh të përpunimit dhe transportimit të naftës.
Lidhjet ekonomike midis Moskës dhe Pekinin duket se po forcohen gjithnjë e më shumë.
Aq sa tashmë po diskutohet nëse Rusia po bëhet apo jo një shtet vasal i saj. Por për Kinën, Indinë dhe vende të tjera më të vogla, të cilat janë të interesuara të shtojnë volumin tregtar me Rusinë, duket se mundësia për të bërë më shumë tregti është shtytësi kryesor. “Rusët kanë mungesa të theksuara të mallrave të ndryshëm. Ne do t’i furnizojmë me to por duke u përpjekur të mos shkelim sanksionet e vendosura”- mund të argumentojnë ata. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë që të ndëshkojnë ata që e bëjnë këtë, por kjo mund të përfaqësojë vetëm një pjesë të transaksioneve të paligjshme.
Për më tepër, çfarë duhet bërë me gjithë tregtinë e ligjshme që në mënyrë të pamohueshme po e ndihmon Rusinë të përballojë regjimin e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi? S’ka asnjë dyshim se këto pyetje do të lindin vazhdimisht në mendjet e politikë-bërësve perëndimorë, ndërsa Putin përgatitet që të sigurojë një mandat të pestë presidencial në zgjedhjet e marsit. /Përshtati “Pamfleti” nga “Geopolitical Monitor”
Lini një Përgjigje