
Nuk mund të injorohet fakti se nga Gaza po përhapet një ndjenjë në rritje e gatishmëri nga të gjitha palët për t'iu drejtuar armëve...
Për të 11-tën ditë radhazi, Evropa u zgjua me lajmin e sulmeve ajrore gjatë natës që shkaktuan të vdekur, të plagosur dhe dëme të mëdha infrastrukturore në një nga shumë rajonet e paqëndrueshme në lindje të kontinentit tonë.
Sulmet e fundit u kryen nga ushtria e Pakistanit në një rajon në kufi me Iranit, dhe u shpjeguan si një hakmarrje ndaj sulmeve iraniane në një rajon kufitar të Pakistanit 2 ditë më herët. Viktimat e raportuara në të dyja sulmet ishin një shifrore. Pra sipas çdo standardi ushtarak, edhe pse jo standarde të thjeshta njerëzore, relativisht të vogla.
Megjithatë, është e vështirë t’i shpëtosh përshtypjes që krijon situata e një konflikti ushtarak që po zgjerohet në mënyrë të pashmangshme në lindje dhe në jug, edhe pse jo ende në veri dhe perëndim. Dhe nëse kthehemi vetëm pak në kohë, masakrat e Hamasit ndaj izraelitëve më 7 tetor, dhe përgjigja e gjithanshme ushtarake e Izraelit, mund të shihen si shndërrimi i pjesës së vogël të Rripit të Gazës në epiqendrën e një konflikti që mund të përfshijë shumë rajone, që gjenden qindra kilometra më larg.
Deri tani alarmi i shprehur ndërkombëtarisht, duket se ka qenë në përpjesëtim të zhdrejtë me rreziqet reale. Sulmet e Hamasit u pasuan nga paralajmërime të tmerrshme, se ajo mund të ishte shkëndija që do të ndizte një konflikt të madh rajonal; dhe se ishte vetëm çështje kohe përpara se Irani të përfshihej drejtpërdrejt në të, ndoshta përmes përfaqësuesit të tij, Hezbollahut, në Libanin Jugor.
Por ashtu pa kaluar shumë kohë, mund të gjendeshim në pragun e luftës së ardhshme botërore. Zërat që qarkulluan në atë kohë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë këshilltarin e dikurshëm të sigurisë kombëtare të Donald Trump, John Bolton, sugjeruan se kjo ishte një mundësi e mirë që SHBA të ndërhynte drejtpërdrejt dhe të neutralizonte një herë e përgjithmonë kërcënimin e perceptuar nga Irani.
Por një skenar i tillë, supozonte se Irani do të përfshihej, drejtpërdrejt ose tërthorazi, gjë që për habinë e dukshme të shumëkujt nuk ndodhi. Udhëheqësi i saj Suprem, deklaroi se Irani nuk kishte ndërmend të përfshihej në këtë luftë. Ndërkohë edhe më radikalët në Shtetet e Bashkuara ulën tonet, ndoshta duke ditur rreziqet e kontributit në një aventurë të re ushtarake në një vend të huaj, në fillim të një viti që do të mbyllet me zgjedhjet presidenciale.
Tre muaj më vonë, konflikti në Gaza ka evoluar në drejtime shumë të ndryshme nga ato të parashikuara fillimisht, dhe rreziqet janë mbajtur nën kontroll. Është e vërtetë që përleshje të kufizuara ka pasur edhe në Libanin jugor, por jo në kuptimin e sulmeve më të mëdha të Hezbollahut ndaj Izraelit Verior, por në formën e vrasjeve politike, siç ishte ajo e numrit 2 të Hamasit dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut.
Përgjegjësia për të dytën u pranua nga Izraeli, dhe përgjigja si nga Hezbollahu po ashtu edhe nga Irani mbeti ende vetëm verbale. Më pas pamë një ndërhyrje nga Huthit, të cilët kontrollojnë prej 10 vitesh pjesën më të madhe të Jemenit. Ata lëshuan raketa dhe dronë ndaj anijeve që kalojnë në Detin e Kuq, një nga pikat nevralgjike për tregtinë detare globale.
Huthi, të cilët janë të armatosur kryesisht nga Irani, thanë se ata po vepronin në shenjë solidariteti me palestinezët dhe po godisnin vetëm anijet që kanë lidhje me Izraelin apo aleatët e tij. Në atë moment, SHBA dhe Britania e Madhe e emëruan veten roje të sigurisë rajonale dhe nisën disa sulme me raketa mbi pozicionet e Huthi në Jemen.
Por gjatë gjithë kohës, ato këmbëngulën se operacioni i tyre nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin në Gaza por me lirinë e lundrimit dhe hakmarrjen (për shkak të sulmit të Huthi ndaj një anijeje luftarake britanike).
Në këtë kohë, Irani po e kthente vëmendjen tek armiqtë më afër shtëpisë. Gjatë 2 javëve të fundit, ai ka kryer sulme ajrore në territoret ngjitur me të gjitha vendet fqinje - në Siri, Irak dhe së fundmi në Pakistan - duke shkaktuare protesta dhe reagime nga vendet në fjalë. Gjithsesi, u bë gjithçka që kjo çështje mos të marrë përmasa më të mëdha, duke u minimizuar - jo vetëm nga Irani, por edhe nga ata që paralajmëruan më me zë të lartë për qëllimet armiqësore të Iranit në tetor.
Sulmet e ditëve të fundit të Iranit ndaj fqinjëve të tij, janë lexuar nga analistët si simptoma të krizave të vogla lokale të shkaktuara nga terroristët e ISIS-it, grupet rebele iraniane të vendosura përgjatë kufirit nga bandat e trafikantëve të drogës etj. Më pak fjalë, ky është Irani që ndjek interesat e veta kombëtare në shkallë të vogël, pa iu druajtur pasojave më të gjera.
Por kjo vlejti deri në përplasjet e fundit me Pakistanin, ku armiqësitë janë ende të kufizuara vetëm në zonën kufitare midis tyre. Por ato krijojnë potencialisht terrenin për një konflikt midis një vendi të armatosur me armë bërthamore kundër një tjetri që ka haptazi ambicie bërthamore.
Kjo bashkëshoqërohet me rrezikun e zgjerimit të zonës së konflikt përtej asaj që përgjithësisht do të konsiderohej si Lindja e Mesme, në Lindjen e Mesme të Madhe dhe Azinë Jugore, me rrezikun e përhapjes së saj sërish në Afganistan, ku përkojnë interesat perëndimore, kineze dhe ato ruse.
Mua më duket se ekziston ende mundësia që të gjitha mosmarrëveshjet, armiqësitë dhe rivalitetet e ndara që janë tani në lojë, të kufizohen dhe që lufta izraelito-palestineze në Gaza të prodhojë disa konflikte të vogla dhe të mesme rajonale, por jo një zjarr gjigant që do të përfshinte drejtpërdrejt ndonjë nga fuqitë e mëdha të botës.
Dhe është e mundur të interpretohet ajo që Huthit dhe Irani po bëjnë duke shfrytëzuar një klimë të përgjithshme destabiliteti, me synim ndjekjen e objektivave të tyre: Houthi-t të konsolidojnë pozicionin e tyre në Jemen; Irani të përforcojë fuqinë e regjimit kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm.
Por nuk është e qartë se ndonjëri prej tyre do të përdorte fuqinë ushtarake, pa ndjesinë se rregullat ndërkombëtare që kishin mbajtur paqen për shumë vite tani janë pezulluar, duke nisur me sulmet e Hamasit dhe pengmarrjet e 7 tetorit dhe duke vazhduar kundër-përgjigjen shkatërruese të Izraelit.
Duket se deri më tani, Irani po i reziston asaj që mund të shihet si një shans i artë për t’u shfaqur si fuqia dominuese në rajon duke bashkuar të gjitha milicitë e saj. Por ai mund të jetë shumë i dobët për ta bërë këtë. Teherani nuk ka ndërhyrë hapur kundër Izraelit nga Libani Jugor.
Ai i ka mbështetur në distancë veprimet e Houthi-t, duke mos dashur të rrezikojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për paqe me sauditët mbi Luftën Civile në Jemen. Sulmet e tij me raketa janë të kufizuara vetëm tek zonat kufitare aty pranë dhe me ato që ka mosmarrëveshje.
Për me tepër siguria e brendshme nuk është aspak e përsosur. Dëshmi për këtë është sulmi i fundit në Kerman, i marrë përsipër nga ISIS, në përvjetorin e vdekjes së kreut të gardës revolucionare, Qasem Soleimani, teksa vlojnë ende trazirat mbi ndëshkimet e ashpra ndaj grave që nuk mbulojnë flokët e tyre kur dalin në publik.
Megjithatë nuk mund të injorohet fakt se nga Gaza po përhapet një ndjenjë në rritje e gatishmëri nga të gjitha palët për t'iu drejtuar armëve. Çfarë do të shohim, kur pas disa kohësh të analizojmë zhvillimet e muajve të fundit: një mori interesash të vogla që po ndiqen në kufijtë e një konflikti të qëndrueshme dhe të pazgjidhshëm mbi territorin midis Izraelit dhe palestinezëve, një koleksion interesash dhe veprimesh që mbeten të dallueshme dhe dështojnë, apo një sekuencë lëvizjesh të cilat në mënyrë të pashmangshme po përshkallëzohen, dhe që do të shfaqen në tekstet e historisë si shkaqet e luftës së ardhshme botërore? Ashtu siç ndodh shpesh, ndoshta do të ishte një qasje e mençur të shpresojmë
për më të mirën por të përgatitemi për më të keqen./ Përshtati “Pamfleti” nga “The Independent”
Lini një Përgjigje