TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Tetor 2024, 22:28

Si mund t’i jepet fund një herë e përgjithmonë luftës në Gaza?

Shkruar nga Eric R.Mandel

Si mund t’i jepet fund një herë e përgjithmonë

Kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por situata aktuale ruan mundësi të mira për të ecur drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, por pa Hamasin si autoritet qeverisës në Gaza.

Pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, presidenti amerikan Joe Biden tha se ne duhet t’i japim fund “një herë e përgjithmonë” luftës në Gaza. Ndërkaq kandidatja presidenciale demokrate Kamala Harris tha:”Hamasi është shkatërruar dhe lidershipi i tij është eliminuar...Ky moment na jep një mundësi për t’i dhënë fund luftës në Gaza”.

Aktualisht ekziston një shtysë e kuptueshme për t’i dhënë fund luftës menjëherë, me sa duket në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite të rrëmbyer nga Hamasi. Por shansi që i ofron Izraelit dhe SHBA-së vdekja e Sinëar, do të humbasë nëse na mungon durimi strategjik për të vepruar me mençuri.

Një perspektivë më e nuancuar është ajo e Matti Friedman, i cili shkroi për Free Press:“Vdekja e Sinëar do të përshpejtojë fundin e luftës…. A do ta shfrytëzojë Izraeli këtë rast? Pas një viti gjakderdhjeje, aktualisht ka një shans për të nisur përgatitjen e fundit të operacionit në Gaza”.

Sigurisht, kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por situata aktuale ruan mundësi të mira për të ecur drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, por pa Hamasin si autoritet qeverisës në Gaza. Udhëheqësi i opozitës izraelite Benny Gantz, një kundërshtar i Netanyahut, dha një vlerësim edhe më realist, të cilin administrata amerikane po zgjedh që ta injorojë.

“Ne do të duhet të vazhdojmë të mbetemi në Gaza edhe për disa vite. Por ky moment duhet të shfrytëzohet për t’i sjellë pengjet në shtëpi dhe për ta rrëzuar regjimin e Hamasit”, theksoi ai. Hamasi ka ende mijëra luftëtarë të strehuar në kilometra të tëra tunelesh akoma të pazbuluara.

Dhe së bashku me padronin e tij Iranin, ai do të kërkojë të lirohen mbi 1.000 luftëtarë në një marrëveshje për lirimin e pengjeve, përfshirë edhe ata që morën pjesë në sulmin barbar të 7 tetorit 2023 me përdhunime, vrasje dhe rrëmbime. Një lirim i tillë masiv i xhihadistëve, që do të ishte jo vetëm një njollë për drejtësinë, por do ta furnizonte Hamasin me terroristë me shumë përvojë.

E njëjta gjë ndodhi në vitin 2011, kur Izraeli liroi qindra terroristë, përfshirë vetë Sinëar, në këmbim të vetëm një pengu izraelit, ushtarit Gilad Shalit. Ky vendim i vështirë varet nga izraelitët, pra nëse do të ndërmarrin veprime tani për të liruar njerëzit e dashurit, madje edhe në kurriz të lehtësimit të rrëmbimeve që mund të ndodhin në të ardhmen.

Duhet vlerësuar gjithashtu se lufta 1-vjeçare në Gaza, është një zgjatim i drejtpërdrejtë i luftës 45-vjeçare të Izraelit ndaj Iranit. Çfarëdolloj gjëje që do të vendoset në një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, ose mund ta dobësojë ose do të jetë në përfitim të Iranit.

Mënyra më efektive për të nisur fazën tjetër të strategjisë së Gazës dhe Iranit, është që administrata t’i mbajë private mosmarrëveshjet e saj me Izraelin, duke u shfaqur në publik të bashkuar.

Ndërkohë përcjellja publike e mosmarrëveshjeve, vetëm sa e inkurajon Iranin dhe përfaqësuesit e tij që të jenë më kërkues, duke besuar se SHBA-ja do të bëjë punën e saj diplomatike për të, përmes presionit ndaj Izraelit për të pranuar lëshime të dhimbshme, siç është kërcënimi për ngadalësimin e furnizimeve me armë.

Pra një mundësi e madhe është në dispozicion falë sukseseve ushtarake izraelite, të cilat përfshijnë lëvizjen në Rafah, të cilën Joe Biden dhe Kamala Harris e kundërshtuan në atë kohë. Nuk duhet të jetë aspak befasi që Sinwar u vra pikërisht në Rafah.

Në rast se SHBA-të nuk do ta lejojnë Izraelin që të përdorë levën e tij të sapo-gjetur për të arritur marrëveshjen më të mirë të armëpushimit, kjo do të krijojë terrenin e duhur për një ringjallje të Hamasit. Sepse asnjë vend aleat arab i SHBA-së dhe asnjë palestinez i pa kompromentuar, nuk do të guxojë të ndërmarrë në sy rrezikun e pjesëmarrjes në çdo qeverisje pa Hamasin dhe në rindërtimin e Gazës në një kohë që Hamasi është ende atje.
Për të arritur një përparim të vërtetë, administrata Biden duhet të ushtrojë presion mbi Katarin që t’i detyrojë liderët e Hamasit që po strehon, të bien dakord për çarmatimin e organizatës terroriste në Gaza, në këmbim të kalimit të sigurt të terroristëve të mbetur në vendet që mbështesin terrorin si Irani, Rusia apo Libia.

Së fundi, ne duhet të përdorim qasjen “e karotës dhe shkopit”, për të pasur më shumë ndikim me shtetet e Gjirit dhe Egjipt, për t’i nxitur ata të marrin pjesë në monitorimin dhe rindërtimin e Gazës. Ideologjia e Hamasit, është armiku kryesor i këtyre kombeve, të cilët ndihen të kërcënuar nga Vëllazëria Myslimane.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përdorur “shkopin” e kërcënimit të pezullimit të ndihmës prej 1.3 miliardë dollarësh për Egjiptin, dhe as nuk i ka ofruar Arabisë Saudite “karotën” në formën e një pakti të mbrojtjes reciproke kundër Iranit.

Vdekja e pjesës më të madhe të udhëheqjes së Hamasit - Sinwar, Ismail Haniyeh dhe Mohammed Deif - ofron mundësi të shkëlqyera për të arritur një armëpushim afatgjatë dhe për hartimin dhe zbatimin e një programi të de-radikalizimit të Gazës, sipas kushteve izraelite dhe amerikane dhe kjo mund të bëhet në të njëjtën kohë me lirimin e pengjeve.

Megjithatë, ne duhet t’i përmbahemi një afati kohor të Lindjes së Mesme, dhe të jemi të gatshëm të distancohemi nga ofertat kundër-produktive të armëpushimit, të cilat nuk ofrojnë aftësinë për të verifikuar dhe zbatuar sanksionet e menjëhershme për rastet e shkeljeve.

Të gjithë e dimë se si kanë funksionuar verifikimi dhe sanksionet në rastin e Iranit. Ato kanë rezultuar të jenë premtime boshe, dhe që u harruan shumë shpejt. Qytetarët izraelitë, djathtas dhe majtas, që kanë votuar për Netanyahun por edhe duke kundër tij, u mjaftuan me disa garanci të kota në letër për sigurinë e tyre.

Tek e fundit, edhe në 7 tetor 2023 me Hamasin ishte në fuqi një armëpushim. Thembra e Akilit është padurimi i Amerikës, veçanërisht me zgjedhjet presidenciale që po afrojnë, dhe një president si Joe Biden që ka fuqi të kufizuara deri më 20 janar 2025, kur edhe do të dorëzojë mandatin e tij.

Ai do të donte të siguronte trashëgiminë e tij përpara atij momenti, duke i dhënë fund luftës me çdo kusht. Iranianët, Hamasi dhe Hezbollahu, e panë se si Biden urdhëroi ushtrinë amerikane të largohej me nxitim nga Afganistani. Ata shpresojnë se Biden do të imponojë një marrëveshje të ngjashme të nxituar e në kurriz të Izraelit, vetëm që ta përmbushë një afat të tillë.

Por në vend të kësaj, ne duhet ta ndihmojmë Izraelin të përkthejë sukseset e tij taktike në një arritje diplomatike, duke e maksimizuar ndikimin që ka fituar nëpërmjet arritjeve të tij të kushtueshme ushtarake. Të qenit i durueshëm me Izraelin, do t’i japë aleatëve tanë në mbarë botën sinjalin se ne qëndrojmë në krah të miqtë tanë.

Tre muajt e ardhshëm, do të përcaktojnë nëse vdekja e Sinwar-it është një hap vendimtar drejt fitores për Izraelin dhe SHBA-në, apo vetëm martirizimi i një njeriu si pjesë e një fushate të suksesshme iraniane për t’i shkaktuar dhimbje Izraelit dhe Amerikës, dhe që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Shënim:Eric R.Mandel, është drejtor i Rrjetit të Informacionit Politik mbi Lindjen e Mesme./ Përshtati "Pamfleti", nga “The Hill”.

Lini një Përgjigje