
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në koordinim të ngushtë me Izraelin për të penguar agresionin e mëtejshëm nga Irani dhe për të siguruar që çdo përgjigje të mos çojë në një cikël të pafund përshkallëzimi.
Diplomati i lartë amerikan, duke folur në Katar të enjten pas takimeve në fillim të kësaj jave në Izrael, theksoi se "nuk është në interesin e askujt" të shohë një përshkallëzim të tillë.
Ai refuzoi të fliste për përgjigjen e planifikuar të Izraelit ndaj sulmit me raketa balistike iraniane në fillim të tetorit.
Blinken gjithashtu nuk iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me besimin e tij në garancitë e Izraelit se përgjigja e shumëpritur e tij nuk do të ndezë konflikt të mëtejshëm.
Siç raportoi CNN javën e kaluar, zyrtarët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, kanë siguruar Shtetet e Bashkuara se një kundërsulm ndaj Iranit do të kufizohet në objektiva ushtarake dhe jo në objektet e naftës ose ato bërthamore, sipas një personi të njohur me diskutimet.
“Shtetet e Bashkuara po punonin gjithashtu me partnerët për t'i përcjellë Teheranit direkt ose tërthorazi" se sulmet e mëtejshme ndaj Izraelit do të kenë pasoja thellësisht negative për interesat e Iranit. Ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj faktit që rreziku i një konflikti më të gjerë është i lartë dhe kjo është edhe më shumë arsyeja pse ne jemi të vendosur dhe veprojmë për t'u siguruar që ta parandalojmë atë", tha Blinken të enjten.
Lini një Përgjigje