
Republikanët po i akuzojnë demokratët për manipulim të votës.
Dallas - Kur kanë mbetur më pak se 2 javë nga votimi, një nga problemet që po shfaqet gjatë gjithë fushatës elektorale është edhe një herë teza e manipulimit të procesit, të cilin sidomos republikanët po e përdorin si një gogol për të trembur qytetarët.
Disa miliona amerikanë kanë votuar tashmë, sepse data zyrtare e 5 nëntorit është në fakt vetëm ajo përfundimtare, duke qenë se tani praktikisht në çdo shtet mund të votohet më herët, madje në disa vende edhe që në 20 shtator.
Megjithatë, një gjë është votimi i hershëm personal - i motivuar nga një mungesë e mundshme në ditën e zgjedhjeve - dhe i kryer në disa qendra tashmë të hapura në çdo qytet, dhe tjetër gjë është çështja e votimit me postë, e cila ende mund të kërkohet dhe sipas shteteve ka procedura të ndryshme.
Në disa shtete kërkohet një kërkesë me shkrim dhe e arsyetuar. Më pas materialet zgjedhore dërgohen me postë rekomande në shtëpinë e votuesit (kështu ndodh në shtetin e Floridës) dhe pasi të jetë hedhur vota, dërgohet sërish me postë rekomande në njësinë vendore ku figuron si zgjedhës.
Tek shtetet e tjera nuk ekziston procedura e rekomanduar. Vota nuk është e gjurmueshme, dhe është e qartë se mund të modifikohet nga palë të treta gjatë gjithë procesit zgjedhor. Megjithatë, ajo që i shqetëson më shumë republikanët është “vota kolektive”, pra kërkesa e bërë nga një person tjetër me pëlqimin - e vështirë për t’u konfirmuar - e votuesit që e kërkon këtë.
Për shembull, le të mendojmë rastin e një azili pleqsh, ku drejtori kërkon që pacientët e tij të mund të votojnë me postë, duke pasur parasysh gjendjen e tyre shëndetësore. Fletëvotimet do të shkojnë në qendra gjitha së bashku, dhe në praktikë askush nuk do të jetë në gjendje të verifikojë nëse do të jetë i moshuari i shtruar në spital apo ndonjë person tjetër voton në emër të të afërmit të tij, në mos po vetë drejtori.
Një debat i ashpër po zhvillohet mbi këtë çështje në SHBA, sidomos për shkak se disa shtete e kanë zgjeruar shtrirjen e këtyre procedurave. Për më tepër, një veçori e zgjedhjeve në SHBA, është se askush në qendrën e votimit nuk mund të kontrollojë identitetin e votuesit.
Kjo mund të ndodhe vetëm nëse ai ose ajo është regjistruar në listat zgjedhore në kohën e duhur, sepse në dallim nga Italia, e drejta për të votuar, kërkohet automatikisht duke u deklaruar (është një praktikë shekullore) si votues republikan, demokrat ose i pavarur.
Më pas, në fshehtësinë e qendrës së votimit, secili do të votojë si të dojë, por fakti është ky regjistrim paraprak unik. Deri para disa vitesh, përdorimi i votimit me postë ishte minimal. Por kohët e fundit ka ardhur duke u rritur në numër, dhe tashmë përfaqëson një pjesë të konsiderueshme në numrin e përgjithshëm të zgjedhësve. Kjo edhe sepse ka rënë përqindja e votave, dhe një pjese e madhe të elektoratit, pak më shumë 40 për qind e qytetarëve, as që regjistrohen në regjistrin zgjedhor, dhe për rrjedhojë nuk kanë të drejtë vote.
Është ende herët për të verifikuar nëse në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, do të ketë apo jo një pjesëmarrje të lartë, siç po ndodh aktualisht me votimet me postë. Gjithsesi opinioni i përgjithshëm është se sa më e lartë të jetë përqindja e votuesve, aq më të mëdha janë shanset e fitores së Kamala Harris.
Por askush nuk mund ta konfirmojë këtë me të dhëna faktike. Së fundi, një debati tjetër i ndezur, ka të bëjë me afatet brenda të cilave mund të numërohen votat e dërguara me postë. Edhe këtu, çdo shtet ka të drejtë të sillet si të dojë.
Ka nga ata që numërojnë vetëm fletët e votimit që kanë mbërritur para mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa në shtetet e tjera - siç ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2020 - ishte data e dërgimit ajo që vërtetonte votën, dhe prandaj dërgimi i fletëve të votimit mund të përfundojë edhe disa ditë pas ditës zyrtare të votimit, duke krijuar një situatë të tensionuar në rast se kandidatët do të jenë me një rezultat shumë të ngushtë në ndonjë nga shtetet tradicionalisht të lëkundura në aspektin e orientimit të votës.
Sigurisht, republikanët po i akuzojnë demokratët për manipulim të votës. Por shumë kanale televizive nënvizojnë se nuk ka prova të dukshme (të paktën tani për tani), edhe pse sistemi i përdorur e bën të pamundur përjashtimin e tyre.
Akuza e partisë Republikane, ende për t’u verifikuar, është se demokratët kontrollojnë sistemin e sigurimeve shoqërore, ndaj mund të mbështeten më lehtë tek sponsorët e shtëpive të të moshuarve, organizatat bamirëse. Madje mund të jenë në gjendje të ndërhyjnë në sistemet e regjistrave, duke i bërë të “votojnë” me postë edhe personat e vdekur.
Sigurisht, do të ketë shumë raste zgjedhësish që kanë votuar dhe më pas vdiqën ose do të vdesin para datës 5 nëntor, por gjithsesi votat e tyre do të numërohen. Çfarëdo që të ndodhë, kjo mënyrë votimit është një tjetër çështje shumë përçarëse, në një vend që nuk ka përjetuar kurrë një atmosferë prag-votimi kaq të trazuar sa këtë herë./Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje