TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Prill 2026, 11:38

Si Donald Trump e ktheu presidencën në një mjet për pasurim personal

Shkruar nga Valery Nikolaev
Si Donald Trump e ktheu presidencën në një mjet për pasurim
Si Donald Trump e ktheu presidencën në një mjet për pasurim personal

Nga transaksionet e dyshimta të kriptove deri te ndikimi i huaj në bizneset private. Eksplorimi i skemës që po e shndërron mandatin e dytë të Trump në një sipërmarrje fitimprurëse miliarda dollarëshe.

Donald Trump është miliarderi i vetëm që ka mbajtur ndonjëherë Zyrën Ovale dhe, që nga rikthimi i tij në presidencë në janar 2025, pasuria e familjes së tij është rritur ndjeshëm. Kjo nuk është rezultat i praktikave tradicionale të biznesit.

Përkundrazi, Trump ka përdorur në mënyrë aktive statusin e tij presidencial për pasurim personal dhe, në disa raste, përpjekjet e tij përbëjnë mashtrime të hapura. Edhe sipas vlerësimeve më konservatore, deri në vitin 2025 fitimi i kombinuar që Donald Trump dhe të afërmit e tij kishin marrë drejtpërdrejt nga koha e tij në Zyrën Ovale kishte arritur në 3.4 miliardë dollarë.

Në rastin e Trump, po zhduket sistematikisht kufiri mes qeverisjes publike dhe fitimit

privat. Të emëruarit presidencialë marrin vendime rregullatore që rrisin menjëherë pasuritë e familjes së tij, ndërsa qeveritë e huaja praktikisht “blejnë” qasje në teknologjinë amerikane dhe kontrata shumëmiliardëshe duke investuar në projektet private të Trump.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren e ka quajtur këtë një kapje të paprecedentë të pushtetit: “Presidenti i Shteteve të Bashkuara kontrollon rregullatorët që supozohet të mbikëqyrin perandorinë e tij financiare personale. Rregullatori që duhet të mbikëqyrë biznesin e tij merr urdhra nga presidenti. Diçka e tillë s’ka ndodhur kurrë në historinë e Amerikës”.

Pyetja kryesore është se si Trump i anashkalon ligjet duke transferuar asetet në truste të menaxhuara nga fëmijët e tij. Ekspertët theksojnë se kjo nuk është thjesht një “shkelje etike”, por përdorim i qëllimshëm i boshllëqeve ligjore.

Për më tepër, bashkëpunëtorë të Trump që nuk janë familjarë punojnë tani në Shtëpinë e Bardhë dhe në Zyrën e Etikës Qeveritare, duke e bërë pothuajse të pamundur kryerjen e hetimeve reale brenda degës ekzekutive.

100 milionë dollarë nga monetizimi i emrit të familjes përmes American Bitcoin

Këtë pranverë, Eric Trump dhe Donald Trump Jr. morën rreth 13 për qind të aksioneve në American Bitcoin. I gjithë “kontributi” i tyre kishte të bënte vetëm me përdorimin e mbiemrit të babait.

Kompania doli në bursë përmes një bashkimi të dyshimtë me një “penny stock”, duke shmangur procesin më të rreptë dhe më të gjatë të IPO-së dhe kontrollin e rregullatorit amerikan të tregjeve financiare.

Për pasojë, pjesa e Donald Jr. u rrit në vlerë deri në 100 milionë dollarë. Ky është një shembull klasik se si djemtë e presidentit e kthejnë statusin e tij në kapital personal, ndërsa rregullatorët e emëruar nga Trump bëjnë sikur nuk shohin.

5 miliardë dollarë nga mashtrimi me kriptot e World Liberty Financial

Familja e presidentit fitoi qasje në flukse të mëdha financiare përmes startup-it World Liberty Financial, ku Trump figuron si bashkëthemelues emeritus. Produkti kryesor është stablecoin USD1 – një token digjital i lidhur me dollarin amerikan dhe i mbështetur nga rezerva të investuara, ndër të tjera, në obligacione shtetërore.

Sipas The New Yorker, vëllimi i USD1 në qarkullim ka arritur rreth 5 miliardë dollarë.

Skema ka ngritur dyshime për shkelje të Kushtetutës amerikane, përfshirë konflikte interesi dhe përfitime të mundshme nga shtete të huaja.

Në shkurt të këtij viti, Kongresi amerikan nisi hetimet mbi 500 milionë dollarë investime nga familja sunduese e Abu Dhabit përmes blerjes së USD1. Më vonë u zbulua se 187 milionë dollarë shkuan drejtpërdrejt te entitete të lidhura me familjen Trump.

562 milionë dollarë fitime përmes tokenëve të qeverisjes

Familja Trump fitoi edhe 562 milionë dollarë nga shitja e tokenëve të qeverisjes, të cilët nuk u japin investitorëve të drejta reale. Marrëveshja me kompaninë Alt5 Sigma duket si një qark i mbyllur: bashkëpunëtorë të Trump në një kompani blejnë tokenë nga bashkëpunëtorë në një tjetër, duke e fryrë artificialisht vlerën.

Sipas The New Yorker, pas zbritjes së shpenzimeve, 75 për qind e të ardhurave nga shitja e tokenëve shkon te një kompani e lidhur me familjen Trump rreth 562 milionë dollarë. World Liberty investon rezervat e USD1 në obligacionet e Thesarit amerikan.

Në nivelin aktual, fitimi i pritur është rreth 360 milionë dollarë, nga të cilat 136 milionë dollarë shkojnë te një kompani e familjes Trump. Në vitin 2023, themeluesi i Binance, Changpeng Zhao, pranoi fajësinë për shkeljen e ligjeve kundër pastrimit të parave dhe më pas u fal nga Trump në vitin 2025.

Pas lirimit, Binance bleu rreth 87 për qind të gjithë furnizimit me USD1 (rreth 4.7 miliardë dollarë), duke i siguruar familjes Trump të ardhura të garantuara prej miliona dollarësh në vit vetëm nga interesat. Ekspertët e quajnë këtë një “quid pro quo” të qartë: falje në këmbim të përfitimeve monetare.

Oktapodi global i kriptove

Shkalla e këtij zgjerimi po e kthen Shtëpinë e Bardhë në një departament marketingu për interesat private të familjes Trump. Ndërkohë që Trump Media grumbullon 2.5 miliardë dollarë për të blerë Bitcoin dhe Eric Trump këshillon bursën japoneze Metaplanet, kompania familjare DT Marks DEFI LLC ka siguruar pjesën dërrmuese të të ardhurave neto nga World Liberty Financial.

Kulmi u arrit në maj 2025, në një darkë private në Virxhinia, ku investitorët derdhën mbi 148 milionë dollarë në memecoin $TRUMP për të siguruar një vend në tryezë me presidentin. Më shumë se gjysma e të ftuarve ishin të huaj, duke krijuar një “derë të pasme” për të blerë qasjen te presidenti i SHBA-së.

Besnikët në poste kyçe

Për të mbrojtur këtë mekanizëm fitimi, Trump vendosi njerëzit e tij në poste kyçe. Shumë prej tyre zotëronin asete kripto me vlerë qindra miliona dollarë dhe i mbajtën ato edhe pas emërimit. Që ditën e parë, Trump anuloi urdhrat etikë që ndalonin konfliktet e interesit dhe shkarkoi inspektorët e përgjithshëm si dhe kreun e Zyrës së Etikës Qeveritare.

Totali: 1.4 miliardë dollarë fitim personal dhe imunitet të plotë

Analiza sugjeron se sistemi është përdorur për të gjeneruar rreth 1.4 miliardë dollarë fitime personale neto. Kjo përfshin manipulimet me kriptovalutat, dhuratat luksoze si avionët privatë që pretendohet se vijnë nga Katari, si dhe licencimin e markës Trump në Arabinë Saudite dhe Maldive.

Nga ana ligjore, Trump mbetet i paprekshëm falë vendimit të Gjykatës së Lartë mbi imunitetin presidencial. Për herë të parë në historinë amerikane, fuqia presidenciale është shndërruar në një mall të tregtueshëm.

Leva e vetme, shkarkimi (impeachment), mbetet e bllokuar nga besnikëria politike në Kongres. Politika e Departamentit të Drejtësisë ndalon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë, duke siguruar që këto veprime të mbeten pa u ndëshkuar të paktën për tre vitet e ardhshme./Përshtati "Pamfleti", nga “The Insider”

 

1 Komente

  1. T
    Tony

    E mesoi kete stil nga ambasadoret qe kane qene ne Shqiperi. E ka prishur me gjithe Europen e vetem me Shqiperine e mencur nuk e prish. A ma kapni muhabene apo jo.

    Lini një Përgjigje