Venezuela u godit nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter, që konsiderohen si më të fortët që kanë goditur vendin në më shumë se një shekull.
Nëna humb jetën duke mbrojtur vajzën e saj gjatë tërmetit në Venezuelë
Mes tragjedisë së shkaktuar nga dy tërmetet shkatërruese në Venezuelë, një nënë u bë simbol i sakrificës, duke dhënë jetën për të shpëtuar vajzën e saj të vogël.
Lajmi u bë publik nga futbollisti venezuelian Héctor Bello, i cili, përmes një mesazhi emocional në Instagram, njoftoi se bashkëshortja e tij Andrea sakrifikoi jetën për të mbrojtur vajzën e tyre gjatë dy lëkundjeve të fuqishme sizmike.
“Do t’i tregoj vajzës sonë historinë se si e shpëtove. Si dhe jetën tënde për të, si ishe një grua e guximshme që nuk e braktise kurrë, deri në frymën e fundit”, shkroi Bello.
Sipas mediave vendase, Andrea u gjet e pajetë nën rrënoja, ndërsa vajza e çiftit arriti të mbijetojë. Futbollisti bëri me dije se e bija ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, së bashku me tezen e saj.

Në një tjetër mesazh prekës, Bello shkroi: “Si do t’ia shpjegoj vajzës sonë se ti humbe jetën për të shpëtuar të sajën dhe unë nuk isha aty për të bërë asgjë? Më jep forcë.”
Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura nga katastrofa, ku deri tani raportohen të paktën 920 viktima dhe mbi 3.000 të plagosur. Dhjetëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Mes viktimave janë edhe dy futbollistë të rinj. Klubi Caracas Fútbol Club konfirmoi vdekjen e lojtarit të ekipit U-18, Razan Sijaa, i cili humbi jetën bashkë me familjarët e tij në La Guaira. Po ashtu, humbi jetën edhe futbollisti Victor Palacios, pjesë e akademisë së Club Sport San Agustín.
Katastrofa ka prekur edhe personalitete të njohura. Ish-Miss Venezuela, Giselle Reyes, njoftoi se nëna e saj ndërroi jetë pasi ndërtesa ku jetonte u shemb nga tërmeti. Sipas saj, e ëma pësoi një atak në zemër si pasojë e tronditjes së fortë.
Autoritetet kanë konfirmuar gjithashtu vdekjen e katër shtetasve spanjollë, një portugezi dhe dy brazilianëve, ndërsa shumë persona të tjerë vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, ndërsa bilanci i viktimave pritet të rritet.
Më shumë se 920 persona kanë humbur jetën dhe rreth 3,360 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën.
Autoritetet bëjnë të ditur se shumë persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionet intensive për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja.
Rajoni i La Guaira, në veri të kryeqytetit Karakas, është zona më e goditur nga katastrofa. Dhjetëra ndërtesa, përfshirë spitale, qendra tregtare dhe objekte të tjera infrastrukturore, janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda. Aeroporti Ndërkombëtar Simón Bolívar dhe një nga portet kryesore të vendit ndodhen gjithashtu në këtë rajon.
Sipas kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, të paktën 172 persona besohet se ndodhen ende të bllokuar nën rrënoja, ndërsa vetëm në La Guaira janë shpëtuar 243 persona. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, deklaroi se dhjetëra qytetarë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat dhe se deri tani janë regjistruar 214 lëkundje pasuese.
Sipas raportimeve në platformat e qytetarëve dhe rrjetet jozyrtare, janë regjistruar mbi 51 mijë persona të raportuar si të zhdukur.
Dy tërmetet goditën vendin me vetëm pak sekonda diferencë. Tërmeti i dytë, me magnitudë 7.5 ballë, konsiderohet ndër më të fuqishmit që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.
Lini një Përgjigje