TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shtator 2025, 22:29

'Shtrëngim duarsh strategjik': Si Pakistani po e josh Trumpin me mineralet e rralla

Shkruar nga Pamfleti

'Shtrëngim duarsh strategjik': Si Pakistani po e

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, pritet të takohet këtë të enjte në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, duke sjellë me vete një ofertë të re që dallon nga çdo takim i mëparshëm i liderëve pakistanezë me Uashingtonin.

Në vend të rolit të zakonshëm si partner sigurie në Afganistan apo “luftën kundër terrorizmit”, Islamabad po përpiqet të rikthejë marrëdhëniet me SHBA-në përmes një karte të re strategjike: burimet minerare dhe elementët e rrallë.

Më 8 shtator, në një ceremoni të lartë në rezidencën e kryeministrit, me praninë e gjeneralëve pakistanezë dhe zyrtarëve amerikanë, u nënshkruan dy marrëveshje (MoU) që parashikojnë investime amerikane prej 500 milionë dollarësh në sektorin minerar pakistanez dhe furnizimin e SHBA-së me minerale të rralla e kritike, të domosdoshme për industrinë, mbrojtjen dhe tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Ky zhvillim shënon një kthesë të fortë në qëndrimin e Trump ndaj Pakistanit. Në vitin 2018, ai e akuzonte publikisht Islamabadin se i kishte dhënë vetëm “gënjeshtra dhe mashtrime”. Sot, ai falënderon publikisht Pakistanin për ndihmën kundër terrorizmit, ka ulur tarifat tregtare për mallrat pakistaneze në nivelin më të ulët të rajonit (19%) dhe ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë jo vetëm Sharifin, por edhe shefin e ushtrisë pakistaneze – një gjest i paprecedentë.

Sipas analistëve, kjo është një “shtrëngim duarsh strategjik” ku SHBA kërkon të sigurojë zinxhirin e furnizimit me minerale, ndërsa Pakistani synon të lidhë këtë pasuri natyrore me krenarinë kombëtare dhe me shpresën për të lehtësuar krizën e rëndë ekonomike dhe borxhin e jashtëm prej 130 miliardë dollarësh.

Në marrëveshjen kryesore, kompania ushtarake-inxhinierike pakistaneze Frontier Works Organisation (FWO) do të bashkëpunojë me kompaninë amerikane United States Strategic Metals (USSM) për eksportin e menjëhershëm të mineraleve të disponueshme, si antimoni, bakri, ari, tungsteni dhe elementë të rrallë tokësorë.

Ky bashkëpunim shihet si një gur themeli i ri në marrëdhëniet SHBA–Pakistan, me potencial për ta zhvendosur partneritetin nga siguria në ekonomi dhe burime strategjike.

Lini një Përgjigje