
Trump deklaroi në një takim me presidentin turk, Rexhep Tayip Erdogan, se SHBA-ja është shumë pranë negocimit të një marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit...
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka zgjedhur ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, për të drejtuar administratën e përkohshme që do të qeverisë Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta.
Sipas gazetës izraelite, “Times of Israel”, presidenti amerikan ka autorizuar Blair-in të mblidhte palët e interesuara rajonale dhe ndërkombëtare rreth propozimit të ish-kryeministrit britanik për të krijuar një organ kalimtar pas luftës për të qeverisur Rripin e Gazës.
Ende nuk ka detaje se si do të veprohet dhe se cilat do të jenë përgjegjësit e kabinetit qeverisë të përkohshëm, i cili do të qeveriset nga Blair.
Megjithatë vlen të theksohet se ky lajm del vetëm pak orë pasi Trump deklaroi në një takim me presidentin turk, Rexhep Tayip Erdogan, se SHBA-ja është shumë pranë negocimit të një marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit.
“Patëm një takim të shkëlqyer ditën tjetër në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, siç e dini, dhe mendoj se jemi, mendoj se jemi afër arritjes së një lloj marrëveshjeje. Po, ne duam, duam t’i kthejmë pengjet. Duhet t’i kthejmë pengjet. U takova me Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe. U takuam me Jordaninë. Patëm një takim vërtet të shkëlqyer. Mendoj se shumë gjëra u përcaktuan në atë takim”, tha Trump pak orë më parë në Shtëpinë e Bardhë.
Aktualisht nuk ka asnjë detaj lidhur me planin e paqes të paraqitur nga Trump, por po flitet për një pakt që përmban 21-pika të cilat adresojnë problematikat kryesore.
Ditën e djeshme, i dërguari amerikan, Steve Witkoff konfirmoi se Presidenti i SHBA-së. Donald Trump u ka paraqitur një plan vendeve të rajonit.
“Ne paraqitëm atë që e quajmë plani 21-pikësh i Trump për paqen në Lindjen e Mesme dhe Gaza”, tha Witkoff.
Sipas mediave izraelite, administrata Trump shpreson që ky kuadër do të mobilizojë shtetet arabe për të derdhur para në Rripin e shkatërruar nga lufta dhe për të rindërtuar infrastrukturën e tij civile. Trump do të takohet me Benjamin Netanyahu në Uashington të hënën, ku dhe pritet të flitet për planin 21-pikësh.
Më herët këtë javë, një zyrtar i lartë izraelit i tha gazetës The Times of Israel se administrata Trump e kishte paralajmëruar privatisht Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor në përgjigje të njohjes perëndimore të një shteti palestinez.
Lini një Përgjigje