
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në emisionin “Opinion” në Tv Klan analizoi zhvillimet në arenën ndërkombëtare, me fokus të veçantë tek ndikimi që kanë konfliktet globale në rajonin tonë dhe roli që duhet të ketë Shqipëria në këto rrethana.
Sipas Bushatit, bota po përjeton një fazë dinamike me ndryshime të mëdha gjeopolitike, ku orientimi i vendeve të vogla duhet të bazohet në parime të qarta dhe koherente. Ai theksoi se “gjeografia është destinacion, nuk mund ta ndryshojmë, ndërsa strategjia është në zgjedhjen tonë”, duke nënvizuar rëndësinë e një pozicionimi të matur dhe të qëndrueshëm të politikës së jashtme shqiptare.
Duke iu referuar dy prej konflikteve më të mprehta, luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, Bushati theksoi se të dyja kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe pozicionimin e rajonit tonë. Sipas Bushatit, qëndrimi i Shqipërisë pas shpërthimit të konfliktit në Gaza është bërë i paqartë dhe i zbehtë, duke humbur qartësinë që e ka karakterizuar diplomacinë shqiptare në të kaluarën.
“Është një botë që është në ndryshim të vazhdueshëm, ka një dinamikë të madhe dhe është shumë e rëndësishme që ne të orientohemi duke u bazuar në disa parime. E para, gjeografia është destinacion, nuk e ndryshon dot, ndërsa strategjia është në zgjedhjen tonë. Nëse ka dy konflikte që po zhvillohen sot në botë,q ë e impaktojnë në një mënyrë apo në një tjetër rajonin tonë është ajo është ajo çka po ngjet në Lindje me Ukrainën dhe ajo çka po ngjet në Lindjen e Mesme. Së dyti Shqipëria e ka njohur shtetin e Palestinës në ’88 ka qenë vijmësisht një zgjidhje me dy shtete. Në vitin 2018 ka votuar kundër qëndrimit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. Kemi kultivuar tradicionalisht marrëdhënies shumë miqësore me shtetin e Izraelit sidomos në dy dekadat e fundit. Për fat të keq, nga momenti i shpërthimit të konfliktit në Gaza qëndrimi i Shqipërisë është bërë amorf dhe i paqartë”, tha ai.
Në kontrast me vendet si Gjermania apo Kroacia, të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin e Palestinës por mbajnë qëndrime të qarta dhe të balancuara, Bushati vuri në dukje se Shqipëria aktualisht ka zgjedhur një “qëndrim për mosqëndrim”.
Lini një Përgjigje