TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2023, 17:45

Shtirej si yll popi dhe diplomate, vajza e diktatorit aziatik blen mbi 240 milionë dollarë prona në botë

Shkruar nga Pamfleti

Shtirej si yll popi dhe diplomate, vajza e diktatorit aziatik blen mbi 240

Vajza e një diktatori të korruptuar, e cila hiqej edhe si yll popi dhe diplomate, ka shpenzuar të paktën 240 milionë dollarë në prona nga Londra deri në Hong Kong.

Sipas BBC, Gulnara Karimova nga Uzbekistani përdori kompanitë e saj në Mbretërinë e Bashkuar për të blerë shtëpi dhe një avion privat me fondet e marra përmes ryshfetit dhe korrupsionit.

Kështu thuhet në një raport të hartuar nga ‘Freedom for Eurasia’. Ky raport ngre të tjera dyshime mbi përpjekjet që bën Britania e Madhe për të luftuar pasuritë e paligjshme, raporton BBC.

Në raport thuhet se lehtësia me të cilën Karimova ka siguruar pronat e saj britanike është shqetësuese. Për një periudhë kohe, Gulnara Karimova mendohej se do të ishte pasuesja e babait të saj, Islam Karimov, që sundoi Uzbekistanin prej vitit 1989 deri në vdekjen e tij në vitin 2016. Ajo shfaqej në video të muzikës pop me emrin e artit Googoosha, kishte një kompani bizhuterish dhe kishte shërbyer si ambasadore në Spanjë.

Në vitin 2014, ajo u zhduk nga sytë e publikut. Më vonë u mësua se ishte arrestuar me akuzat për korrupsion, në kohën që babai i saj ishte akoma në pushtet. Në vitin 2017, ajo u dënua dhe në vitin 2019 u dërgua në burg pasi kishte thyer masën e sigurisë së arrestit shtëpiak. Prokurorët thonë se ajo ishte pjesë e një grupi kriminal që kontrollonte asete me vlerë mbi 1 miliardë dollarë në 12 vende. Tom Mayne, një nga hartuesit e raportit tha se rasti Karimova është një nga rastet më të mëdhenj të korrupsionit dhe ryshfetit në histori.

Lini një Përgjigje