
Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka ngritur shqetësimin se lufta e Rusisë në Ukrainë dhe agresioni i Kinës mbi Tajvan kërcënojnë të krijojnë një botë “të përcaktuar nga rreziku, çrregullimi dhe ndarja”.
Sunak parashikoi një "dekadë të vështirë dhe të rrezikshme" pasi qeveria e tij publikoi të hënën një përditësim të shumëpritur për një rishikim të madh të mbrojtjes, sigurisë dhe politikës së jashtme.
"Pushtimi i paligjshëm rus i Ukrainës, armatizimi i furnizimeve me energji dhe ushqim dhe retorika e papërgjegjshme bërthamore, e kombinuar me qëndrimin më agresiv të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe ngushticën e Tajvanit , po kërcënojnë të krijojnë një botë të përcaktuar nga rreziku, çrregullimi dhe përçarja - dhe një rend ndërkombëtar më i favorshëm për autoritarizmin”, tha ai.
Dokumenti prej 63 faqesh sinjalizoi se bota u përball me rrezikun më të madh në dekada të kërcënimeve të sigurisë që përshkallëzoheshin, duke përfshirë dhe "konfliktin e pakontrolluar" me armë bërthamore.
"Ekziston një perspektivë në rritje që mjedisi i sigurisë ndërkombëtare do të përkeqësohet më tej në vitet e ardhshme, me kërcënimet shtetërore që rriten dhe diversifikohen në Evropë dhe më gjerë. Rreziku i përshkallëzimit është më i madh se në çdo kohë në dekada, dhe një numër në rritje i sistemeve të avancuara të armëve janë zhvilluar dhe janë duke u testuar ose miratuar", shtoi Sunak.
Ai shtoi se prioriteti më i menjëhershëm i sigurisë ishte trajtimi i kërcënimit të paraqitur nga lufta e Rusisë në Evropë. Por paralajmëroi gjithashtu se çdo luftë e ardhshme në Indo-Paqësorin, ku tensionet janë rritur me Kinën mbi Tajvanin , mund të ketë "pasoja globale më të mëdha se konflikti në Ukrainë".
Si rezultat i kërcënimeve në zhvillim, Sunak njoftoi një shtesë prej 3 miliardë funtesh gjatë dy viteve të ardhshme për armët bërthamore të Mbretërisë së Bashkuar dhe flotën e nëndetëseve, si dhe 1.9 miliardë paund shtesë për rezervat e municioneve.
Dokumenti u publikua përpara buxhetit të qeverisë të mërkurën. Ai parashtroi një plan për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar në 2.5% të PBB-së, nga pak më shumë se 2%, por pa caktuar një kornizë kohore.
Lini një Përgjigje