Në vend të një peizazhi të egër populist, Bullgaria është një demokraci e ngrirë. Ekziston dyshimi se partitë politike nuk mund të qeverisin sepse nuk duan. Për votuesit e tyre, është më e rëndësishme që ato të jenë të qarta se me kë nuk do të bashkëpunojnë, sesa për atë që mund të arrijnë.
E dini kush është sot kryeministri i Bullgarisë? Jam shumë i sigurt që jo. Por mos u ndjeni në siklet, sepse as shumica e bullgarëve nuk e dinë emrin e kryeministrit të tyre. E si mund të jetë ndryshe? Brenda 3 viteve të fundit, në Bullgari janë mbajtur 6 zgjedhje parlamentare.
Dhe në 4 nga rastet, parlamenti i sapozgjedhur nuk arriti të formonte një qeveri. Edhe në 2 rastet kur arriti të formohej një qeveri, ajo mbijetoi për më pak se një vit, dhe shfaqi që të gjitha problemet e një martese me mblesëri. Më 27 tetor bullgarët do të votojnë sërish. Shanset që të zgjedhin një qeveri të re janë 50 me 50.
Deri tani efektet e këtij versioni bullgar të “Covid-it të gjatë” politik përfshijnë një rritje ekonomike modeste; pjesëmarrje e ulët e votuesve në zgjedhje, e cila vazhdon të bjerë (në tetor parashikohet të jetë rreth 30 për qind); një cinizëm të madh politik; rritje të partive të reja që e kontestojnë skenën politike aktuale; një burokraci e madhe deri në nivele paralizuese; si dhe një zhvendosje akoma më në periferi të Bullgarisë në raport me skenën politike evropiane.
Por ndërsa situata duket shumë dëshpëruese, një nga arsyet që ndoshta nuk keni dëgjuar për kryeministrin bullgar, është se të paktën për momentin ndryshe nga Hungaria apo Sllovakia, vendi po e mban jashtë qeverisë të djathtën ekstreme. Pra, Bullgaria është një histori suksesi apo dështimi?
Në vend të një peizazhi të egër populist, Bullgaria është një demokraci e ngrirë. Ekziston dyshimi se partitë politike nuk mund të qeverisin sepse nuk duan. Për votuesit e tyre, është më e rëndësishme që ato të jenë të qarta se me kë nuk do të bashkëpunojnë, sesa për atë që mund të arrijnë.
Çështja e pazgjidhur e politikës bullgare është: Kush e qeveris vendin? Rasti i Bullgarisë mund të klasifikohej si një lloj ekzotike politike, po të mos ishte problemi i infektimit të vendeve të tjera nga kjo sindromë.
Ato që mund të quhen demokraci në ngërç, të drejtuara nga qeveri jetëshkurtra apo administrata teknokrate me vota të mjaftueshme për të mbijetuar për një fare kohë, por me mbështetje të pamjaftueshme për të qeverisur, janë tendenca më e re në Evropë. Një shembull është qeveria e re franceze e udhëhequr nga Michel Barnier.
Një tjetër mund të jetë qeveria që do të dalë nga zgjedhjet federale gjermane të vitit të ardhshëm.
Në të dyja këto raste, frika nga qeveritë e djathta represive, kërcënon që të sjellë në pushtet ato centriste depresive. Një dekadë më parë, politologu i njohur Moisés Naím shkroi se “pushteti nuk blen më aq sa dikur. . .ai është më i lehtë për t’u marrë, por më i vështirë për t’u përdorur, dhe më i lehtë për t’u humbur”.
Frika e Naím ishte se qeveritë demokratike po rrëshqasin drejt impotencës. Kohët e fundit, ai e rishikoi tezën e tij mbi arsyet e forcimit të liderëve autoritarë dhe politikave të stilit autoritar tek regjimet demokratike. Por nuk janë zhdukur nga skena demokracitë e paralizuara ose të ngrira.
Ndërsa shumica e analistëve politikë janë të fokusuar tek suksesi i së djathtës ekstreme, kërcënimi më urgjent për demokracitë evropiane, mund të jetë fragmentimi i polarizuar dhe jo polarizimi i stilit amerikan. Historia bullgare nuk është ajo e një vendi tejet të përçarë mbi vlerat apo politikat.
Përkundrazi, është një shoqëri e përshkuar nga cinizmi dhe mosbesimi i madh. Vijat ndarëse midis partive politike janë shumë të shumta, dhe frika nga kompromisi është shumë e madhe.
Kësisoj politikanët llogaritin që votuesit i shpërblejnë për atë që nuk bëjnë, më shumë se për atë që bëjnë.
Ndërsa rritja e së djathtës populiste, sjell shpesh një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje dhe një interes të ripërtërirë për politikën, fragmentimi i polarizuar si ai që shohim në Bullgari, çon drejt zhgënjimit të publikut me politikën.
Në demokracitë e polarizuara si Polonia, Turqia apo SHBA-ja, suksesi zgjedhor i së djathtës populiste, ka shkaktuar një mobilizim të fortë qytetar dhe demokratik. Ndërsa në Bullgari, rezultati i politikës së fragmentimit të polarizuar, është dorëheqja e përhapur nga angazhimi politik.
Shumica autoritare, zgjedhjet e kontestuara dhe kapja e institucioneve publike nga partia në pushtet, janë rezultatet kryesore të polarizimit ekstrem. Çdo ndryshim i qeverisë në një demokraci të polarizuar, është një formë e ndryshimit të regjimit. Por rezultati kryesor i koktejit vdekjeprurës të polarizimit dhe fragmentimit, priret të jetë zhgënjimi i thellë me demokracinë.
Parë nga jashtë, “sëmundja bullgare”, mund të shihej si e keqja më e vogël në krahasim me praninë e së djathtës ekstreme në qeveri. Kjo po krijon iluzionin se qendra po reziston ende. Por ky gjykim do të duhet ndoshta të rishikohet. Shoqëria civile e di intuitivisht se çfarë të bëjë kur vjen në pushtet një parti si Ligj dhe Drejtësi në Poloni.
Por është shumë më pak e qartë se çfarë duhet të bëjë shoqëria civile, kur askush nuk e di emrin e kryeministrit (meqë ra fjala është Dimitar Glavchev), dhe nuk ka arsye pse ta mësojë atë. Kur u pyet për të përcaktuar se çfarë është pornografia, një gjykatës amerikan bëri dikur batutën e famshme: ”E di kur e shoh atë!”.
Sot problemi i Evropës është e kundërta. Megjithëse është e lehtë të përkufizohet se çfarë është autoritarizmi, mund të jetë shumë më sfidues identifikimi i largimit të ngadaltë nga demokracia, veçanërisht kur kjo gjë ndodh në oborrin e shtëpisë tuaj./ Pëshatati "Pamfleti" Nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje