TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Shtator 2024, 11:59

Zgjedhja e dhimbshme që ka përpara Evropa: Të përgatitet seriozisht për luftë apo të garantojë më shumë mirëqenie për qytetarët

Shkruar nga Tom Fairless & Bertrand Benoit
Zgjedhja e dhimbshme që ka përpara Evropa: Të përgatitet
Robert Habeck /

“Unë e shoh si fatale idenë e çmontimit të shtetit të mirëqenies sociale, sepse na duhen më shumë para për ushtrinë”

Görlitz, Gjermani - Kur mbaroi Lufta e Ftohtë, qeveritë evropiane i zvogëluan buxhetet e tyre ushtarake, dhe shpenzuan disa trilionë dollarë në programe sociale. Ishte një politikë tepër popullore për votuesit, në kushtet kur Evropa po përballej me pak kërcënime të jashtme, dhe teksa gëzonte garancinë e mbrojtjes nga SHBA-ja.

Por tani vendet evropiane e kanë të vështirë të heqin dorë nga përfitimet e kohës së  paqes, ndonëse lufta në Ukrainë ka ringjallur tensionet e kohës së Luftës së Ftohtë, dhe SHBA-ja po përpiqet që ta zhvendosë fokusin e saj kryesore tek rivalja e saj kryesore ekonomike, Kina. Shumica nuk po arrin që të përgatitë për luftë ushtritë e tyre. Mësimi që nxjerrim: Ishte e lehtë që të ndërronim armët me gjalpin; por e kundërta është shumë më sfiduese. Dhe pavarësisht premtimeve për të rritur shpenzimet ushtarake, Ministrat e Mbrojtjes thonë se e kanë shumë të vështirë të marrin atë që u nevojitet.

Në Gjermani, ekonomia më e madhe e Evropës, bazat ushtarake po shkatërrohen ose janë përshtatur për përdorim civil, si për shembull qendra sportive, azile të moshuarish apo zyra të fondit të pensioneve. Ushtria gjermane, që gjatë Luftës së Ftohtë numëronte mbi gjysmë milionë trupa dhe personel në Gjermaninë Perëndimore, dhe mbi 300.000 në Gjermaninë Lindore, ka sot vetëm 180.000 trupa në total.

Po ashtu, zotëron vetëm qindra tanke funksionalë, krahasuar me më shumë se 2.000 tanke “Leopard 2” që kishte vetëm Gjermania Perëndimore në fundin e viteve 1980. “Kjo është zhgënjyese për mua”- u tha gazetarëve së fundmi Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, pasi mori shumë më pak para se sa kishte kërkuar për shpenzimet ushtarake të vitit të ardhshëm. “Disa gjëra që nuk mund t’i arrij me ritmin që kërkon…niveli i kërcënimit”- shtoi ai. Dhe kjo situatë ka të ngjarë të zhgënjejë shpresat e SHBA-së, se Evropa do të nisë më në fund të lehtësojë një pjesë të barrës që mban Uashingtoni, dhe që paguan 2/3 e shpenzimeve ushtarake në gjirin e NATO.

Që të dy kandidatët presidencialë të SHBA-së, janë shprehur se duan që Evropa të paguajë më shumë për sigurinë e saj. Nëse në nëntor fiton Donald Trump, apeli që Evropa ta bëjë këtë, ka të ngjarë të bëhet shumë më i fortë. Trump deklaroi në shkurt, se SHBA-ja nuk do të mbrojë më aleatët që nuk përmbushin objektivin minimal të NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së  për ushtritë e tyre.

Ai madje shtoi se Rusia mund të “bëjë çfarë të dojë” me këto vende. Ndërkohë ditët e fundit, ai është shprehur se aleatët duhet të shpenzojnë 3 të PBB-së së tyre për mbrojtjen, ashtu si vetë SHBA-ja për ushtrinë e saj. Shumë pak vende evropiane, me përjashtim të Polonisë apo shteteve baltike, janë më pranë shpenzimit të 3 për qind të PBB-së për ushtritë e tyre.

Nën qeverinë e mëparshme konservatore, Britania ishte zotuar të rriste shpenzimet e saj ushtarake në 2.5 për qind të PBB-së deri në vitin 2030. Por kryeministri i ri Keir Starmer ka refuzuar të caktojë një datë konkrete. Nga ana tjetër, shpenzimet ushtarake në Itali dhe Spanjë janë nën 1.5 për qind të PBB-së së tyre.

Sipas një raporti të botuar në fillim të këtij muaji nga Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, me ritmin aktual të riarmatimit, Gjermanisë do t’i duheshin 100 vjet për të rikthyer rezervat e saj të predhave të artilerisë në nivelet e vitit 2004. Gjatë negociatave në fillim të këtij viti mbi buxhetin e 2025-ës, Ministri i Financave Christian Lindner donte të shtonte paratë për mbrojtjen, duke ngrirë për 3 vjet rritjen e shpenzimeve sociale.

Por lëvizja u kundërshtua nga partitë e tjera në koalicionin qeverisës. Kështu buxheti i mbrojtjes u rrit me vetëm 1.2 miliardë euro, krahasuar me këtë vit, mjaftueshëm vetëm për të mbuluar rritjen e fundit të pagave për personelin ushtarak. Ndërkohë shpenzimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën, u pakësuan në 4 miliardë euro, ose rreth gjysma e nivelit të këtij viti.

Ajo për të cilën ranë dakord partitë e koalicionit, ishte një rritje me 108 euro e pagesës vjetore prej 3.000 eurosh për fëmijët e të gjitha familjeve, pavarësisht nga të ardhurat. Sot, vetëm ky përfitim, që paguhet për ta deri në moshën 25-vjeçare, kushton më shumë se 50 miliardë euro në vit, aq sa buxheti vjetor i Ministrisë së Mbrojtjes.

“Unë e shoh si fatale idenë e çmontimit të shtetit të mirëqenies sociale, sepse na duhen më shumë para për ushtrinë”- është shprehur Ministri i Çështjeve Ekonomike Robert Habeck. Sipas tij, Gjermania përballet jo vetëm me një kërcënim të jashtëm nga Rusia, por edhe të brendshëm nga njerëzit që po zhgënjehen me demokracinë, dhe kjo po ndihmon shumë partinë e ekstremit të djathtë AfD.

“Shpenzimet sociale janë shumë të nevojshme për ta mbajtur vendin të bashkuar”- thotë Habeck. Në mesin e viteve 1980, shpenzimet ushtarake në Gjermaninë Perëndimore ishin rreth 3 për qind të PBB-së, dhe mbi 5 për qind në Gjermaninë Lindore. Në vitin 2022, vendi tashmë i bashkuar shpenzoi rreth 1.4 për qind të PBB-së për mbrojtjen.

Për pasojë, kurseu në total 680 miliardë euro që u përdorën për rindërtimin e lindjes ish-komuniste, dhe për zgjerimin e shtetit të mirëqenies sociale. Sipas IFO, një institut kërkimor me qendër në Mynih, Evropa në tërësi ka kursyer rreth 1.8 trilion euro që nga viti 1991 duke shpenzuar më pak se 2 për qind të PBB-së për forcat e saj të armatosura.

Qyteti gjerman Görlitz, ku janë xhiruar filmat e famshëm të Hollivudit si “The Grand Budapest Hotel” dhe “Basterds Inglourious”, tregon frytet e kësaj qasjeje. Në sheshet e qytetit, pensionistët pinë makiato. Studentët studiojnë pa pagesë në një kampus universitar të rindërtuar me pamje nga lumi.

Stacioni i trenit po rindërtohet, një nga sheshet qendrore po rimodelohet, ndërsa spitali po ndërton një pavion të ri për të moshuarit. Qyteti tregon se pse politikanët ngurrojnë të shkëmbejnë “gjalpin me armët”, termi i preferuar i ekonomistëve mbi llogaritjet që duhet të bëjnë shtetet kur zgjedhin midis shpenzimeve ushtarake dhe sociale.

Me një popullsi të moshuar dhe ekonomi të dobët, qyteti përfiton transfertën e dytë më të lartë rajonale të parave të taksapaguesve, në formën e subvencioneve dhe përfitimeve të mirëqenies sociale. Por premtimet e shpenzimeve nga qeveria qendrore po i sforcojnë burimet financiare të Görlitz, që përballon disa nga kostot, përfshirë mbështetjen për fëmijët, thotë administratori i qarkut Stephan Meyer.

Qarku mori një ndihmë prej 40 milionë eurosh në fund të vitit të kaluar nga qeveria e landit për të mbuluar një deficit buxhetor. Meyer tha se ai pret që hendeku midis të ardhurave dhe shpenzimeve të rritet në rreth 100 milionë euro deri në vitin 2028. “Të gjithë e kuptojnë se jemi në një moment shumë të veçantë. Pyetja është se nga do të vijnë paratë”- thotë Christian Mölling, një ekspert i mbrojtjes dhe drejtor i programit të Evropës në Fondacionin Bertelsmann në Berlin.

Disa ditë pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2022, kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi një “Zeitenwende”, apo një pikë kthese historike. Ai u zotua se Berlini do të rrisë shpenzimet ushtarake mbi 2 për qind të PBB-së, dhe zbuloi një fond të posaçëm investimi 100 miliardë euro veçmas buxhetit, me synim riarmatimin.

Ekspertët ushtarakë e mirëpritën masën, por paralajmëruan se pragu prej 2 për qind nuk ​​ishte i mjaftueshëm për të përforcuar shpejt ushtrinë. Por 2 vjet më vonë, buxheti gjerman i mbrojtjes është vetëm 1.3 për qind të PBB-së. Dhe kur të mbarojë fondi special, Gjermanisë do t’i duhet të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes me 60 për qind atë vit, për ta mbajtur në nivelin mbi 2 për qind të PBB-së,  skenar për të cilën analistët thonë se nuk ka gjasa të ndodhë.

 “Zeitenwende ka dështuar”- thotë Benjamin Tallis, anëtar i Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, duke e quajtur përpjekjen për të riarmatosur Gjermaninë “shumë të dobët, shumë të ngadaltë, dhe shumë të pasigurt”./Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”

evropa lufta mirëqenia

Lini një Përgjigje