
Një zjarr që shpërtheu pranë një baze ushtarake të stërvitjeve në distriktin Kirovske në gadishullin e Krimesë ka detyruar evakuimin e mbi 2,000 njerëzve dhe mbylljen e autostradës aty pranë, tha të mërkurën guvernatori i Krimesë i cili mbështetet nga Rusia, Sergei Aksyonov.
“Është planifikuar të evakuohen përkohësisht banorët e katër vendbanimeve, më shumë se 2,000 njerëz”, tha Aksyonov në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Ai nuk dha informacione se për çfarë arsyesh u shkaktua zjarri, i cili detyroi gjithashtu mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore Tavridy.
Kanalet e Telegramit të Rusisë të lidhura me shërbimet ruse të sigurisë dhe mediat ukrainase raportuan se një depo municioni ishte duke u djegur pas një sulmi ajror ukrainas gjatë natës.
Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportimet. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Ukraina.
Megjithatë, Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake të Odesës në Ukrainë postoi dy video të një zjarri në një zonë të pabanuar, dhe shkroi: “Depoja e municionit të armikut në Stari Krim”.
Stari Krim është një qytet i vogël historik në rrethinën Kirovske të Krimesë. Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014.
Videot dhe fotot nga rrjetet sociale shfaqën flakë të mëdha dhe një zjarr me tym në një zonë të pabanuar.
Lini një Përgjigje