
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka treguar detaje nga biseda telefonike e zhvilluar sot me homologun e tij rus, Vladimir Putin, pas samitit në Shtëpinë e Bardhë me Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë.
Teksa ka folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, presidenti amerikan tha se SHBA-të nuk po shpenzojnë më para për Ukrainën.
"Ne nuk shpenzojmë më para për Ukrainën. Ne merremi me NATO-n, jo me Ukrainën", tha Donald Trump, duke shtuar se nuk janë diskutuar garanci specifike sigurie për Kievin, por SHBA-të do të jenë në dispozicion për të ndihmuar.
Trump gjithashtu akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur: “Një shitës i shkëlqyer: sa herë që largohej nga Shtëpia e Bardhë, merrte me vete miliona dollarë”.
Donald Trump u shpreh gjithashtu se nëse ai do të kishte qenë president, lufta në Ukrainë "nuk do të kishte ndodhur kurrë".
Ai theksoi se Putin nuk dëshiron që të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky. "Putini nuk dëshiron të takohet me Zelenskyn sepse nuk e pëlqen atë", deklaroi Trump.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se nuk sheh ndonjë lëshim nga Moska në bisedimet e paqes.
"Sa i përket lëshimeve të Rusisë, unë nuk di asgjë rreth tyre. Nuk mendoj se ajo që tha pala ruse, domethënë se ata janë të gatshëm të ndalojnë pushtimin e Ukrainës, janë lëshime. Nuk mendoj se fakti që ata po ofrojnë të tërhiqen nga territoret që Rusia nuk i kontrollon është një lëshim. Sepse ishin Shtetet e Bashkuara që propozuan, mbaj mend, një armëpushim më 7 mars. Ne e mbështetëm atë", shpjegoi ai.
Lini një Përgjigje