
Reuters ka shpërndarë foton e pajisjeve të kameramanit Hossam al-Masri, i cili u vra gjatë bombardimeve që goditën spitalin Nasser në Khan Younis. Një pamje tronditëse e çantës së tij të punës, mbetur në mes të rrënojave, u bë simbol i çmimit që po paguajnë gazetarët në këtë luftë.
Sipas Mbrojtjes Civile të Gazës, të paktën 20 persona u vranë në sulmet izraelite, mes tyre 5 gazetarë dhe një punonjës i shërbimeve emergjente. Zëdhënësi Mahmud Bassal deklaroi se “bilanci është 20 martirë, ku përveç gazetarëve ka dhe viktima nga radhët e civilëve e stafit mjekësor”.
Mediat ndërkombëtare njoftojnë se ky është një tjetër kapitull i përgjakshëm në listën e gjatë të reporterëve të vrarë në Gaza. Sipas organizatave të monitorimit, në pothuajse dy vite lufte janë vrarë rreth 200 gazetarë. Sky News konfirmon se viktima e pestë ishte reporteri Ahmed Abu Aziz, i cili ndërroi jetë pas plagëve të rënda të shkaktuara nga sulmet.
Një bilanc që ngre pyetje të forta mbi të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e gazetarëve në zonat e konfliktit, ndërkohë që çdo ditë Gaza po shndërrohet në një varrezë të hapur për civilë dhe zërat që përpiqen të tregojnë të vërtetën.
Lini një Përgjigje