
Dronët e Putinit dhe rezistenca ukrainase: jeta e përditshme në Kramatorsk
Nga Sloviansku deri në Kramatorsk, lufta në Donbas shfaqet në formën më të errët të saj: rrjeta kundër-dronësh të varura mbi postblloqe, që ngjasojnë me tunelë lëvizës mbi kokat e ushtarëve. Aty, çdo zhurmë në qiell mund të jetë sinjali i fundit i jetës.
“Kur dëgjon rënkimin e dronit, është vonë. Do të thotë që droni kamikaz rus tashmë të ka shënjestruar”, rrëfen një roje, gjysmë me shaka, gjysmë me tmerr. “Ata nuk bëjnë dallim mes automjeteve civile e ushtarake. Godasin gjithçka që lëviz”, tha ai.
Në këtë realitet, antenat dhe pajisjet bllokuese të sinjaleve, “jammers”, janë kthyer në shpëtimtarë. Dikur të rralla, sot i gjen mbi çdo automjet të dytë ushtarak. Ato pengojnë komunikimet ruse dhe shpërbëjnë radarët e dronëve. “Pa to, nuk do të mund të afroheshim fare në vijën e parë”, thotë një shofer i batalionit Azov.
Kramatorsku është sot qyteti më i rëndësishëm i Donbasit që mbetet ende nën kontrollin e Kievit – rreth 25-30% e rajonit. Pikërisht këtë territor Putin e kërkon si kusht minimal për “paqen”. Për Zelenskyn, ky është një kapitullim i papranueshëm. Ndaj betejat janë bërë të ashpra, me ushtrinë ruse që ndodhet tashmë vetëm 16 kilometra larg periferiëve lindore të qytetit.
Nga dikur mbi 200 mijë banorë, sot në Kramatorsk kanë mbetur më pak se 53 mijë. Shumica janë të moshuar, ose familje që ishin larguar, por janë rikthyer për shkak të mungesës së parave. “Të jetosh në qendrat e refugjatëve është e padurueshme. Këtu, të paktën jemi në shtëpitë tona”, rrëfen Olena, 73 vjeçe, ish-punonjëse e bashkisë.
Zëri i një kirurgu dhe vendosmëria e qytetarëve
Sergei, kirurg 57-vjeçar i njohur si “parashutisti”, operon pa pushim që nga marsi i vitit 2022. “Situata nuk është e mirë. Çdo ditë më sjellin ushtarë të plagosur nga Kostyantinivka. Dronët rusë na ndjekin pa pushim, dhe momenti më i rrezikshëm për këmbësorin është kur zhvendoset nga një pozicion në tjetrin”, tregon ai.
Ndërsa Natalia, një agjente 53-vjeçare e shpërngulur që nga 2014 nga Donetsku, është edhe më e prerë: “Putin është një kriminel. Nëse ushtria jonë do të tërhiqet, unë do të ik sërish. Por nuk do ta pranoj kurrë si president timin”.
Lufta e përditshme dhe taktikat ruse
Ushtarët ukrainas në Kramatorsk tregojnë se taktika e Moskës nuk ka ndryshuar: bombardim masiv, pastaj avancim i ngadalshëm i këmbësorisë. Kostyantinivka është shndërruar në gërmadhë; të njëjtin fat pati Bakhmut. Por tani, ndryshe nga e kaluara, bombardimet janë gjithnjë e më shumë me dronë të drejtuar, sidomos gjatë natës.
“Pa jammers, është vetëvrasje. Rrugët janë të mbushura me automjete ukrainase të shkatërruara”, thotë Vitaly, 38 vjeç, i brigadës territoriale. Edhe Andry, një oficer i ri i Azovit, nuk fshihet pas iluzioneve: “Rusët po avancojnë ngadalë, shumë ngadalë, por avancojnë. Ne nuk kemi alternativë tjetër veçse të rezistojmë dhe të shpresojmë tek ndihma e aleatëve”.
Kramatorsku është kthyer në simbolin e një lufte të zgjatur, ku civilët, mjekët dhe ushtarët jetojnë çdo ditë nën hijen e dronëve rusë. Një qytet që rrezikon të pësojë fatin e Mariupolit apo Bakhmutit, por që ende qëndron si gur kyç në mbrojtjen e Ukrainës lindore. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje