Pas dorëheqjes së Tulsi Gabbard, shkarkimit ende misterioz të gjeneralit Timothy Haugh nga drejtimi i NSA-së dhe periudhës kritike që po kalon FBI-ja nën drejtimin e Kash Patel, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka mbetur një nga të paktat institucione federale që kanë ruajtur një nivel të caktuar pavarësie nga Shtëpia e Bardhë.
Në etjen e tij për t’u ndryshuar emrat të gjitha ndërtesave të pushtetit në Uashington për t’ia dedikuar vetes, Donald Trump ka harruar tani për tani njërën prej tyre. Nuk duket rastësi, pasi bëhet fjalë për selinë e një prej pak institucioneve federale që kanë ruajtur njëfarë pavarësie nga Shtëpia e Bardhë.
Fjala është për “George Bush Center for Intelligence”, emri zyrtar i selisë së CIA-s në Langley, i dedikuar të vetmit president në historinë e Shteteve të Bashkuara - Bushit të shekullit të kaluar - që ka qenë edhe drejtor i agjencisë më të famshme të spiunazhit në botë.
Por nuk është vetëm çështje emri. Në këtë moment, CIA duket si garancia e një niveli të caktuar vazhdimësie (por edhe kompetence) në mesin të një komuniteti të inteligjencës dhe sigurisë që duket i çoroditur.
Dorëheqja më 22 maj e Tulsi Gabbard nga posti i drejtoreshës kombëtare të inteligjencës, NSA, ishte vetëm sinjali i fundit i shpërbërjes në vazhdim të aparatit amerikan të inteligjencës.
Gabbard u largua për shkak të një problemi familjar, duke shpjeguar se donte t’i përkushtohej kujdesit për bashkëshortin e saj, i sëmurë me një formë e rrallë tumori në kocka, por për askënd nuk ishte sekret se ajo tashmë ishte mënjanuar nga pjesa tjetër e administratës Trump.
Gabbard pagoi çmimin e kundërshtimit të saj ndaj operacioneve ushtarake në Venezuelë dhe Iran, për të cilat ishte në të njëjtën linjë me zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe me shumë pak këshilltarë të tjerë të presidentit që patën guximin të vinin në dukje tradhtinë e Trump ndaj premtimeve elektorale për izolacionizëm dhe qasjen “America First”.
Por asaj i kushtoi postin edhe gjendja kaotike në të cilën ndodhet komuniteti i tetëmbëdhjetë agjencive federale të inteligjencës dhe sigurisë që ajo duhej të drejtonte. Sipas shumë vëzhguesve, nëse nuk do të kishte dhënë dorëheqjen, shumë shpejt do të ishte shkarkuar.
FBI-ja po kalon një periudhë kritike nën drejtimin e drejtorit Kash Patel, i akuzuar nga shumë palë për mungesë kompetence dhe shumë i përfolur për varësinë e tij të pretenduar nga alkooli, të zbuluar nga revista The Atlantic në një investigim gazetarik, ndaj të cilit Patel reagoi me zemërim dhe me një padi gjigante për shpifje.
Departamenti i Drejtësisë, që mbikëqyr një pjesë të madhe të aktiviteteve të sigurisë amerikane, ndodhet në duart e një drejtuesi të përkohshëm (ish-avokat personal i Trump), pasi presidenti shkarkoi ministren Pam Bondi.
Departamenti për Sigurinë Kombëtare i është besuar senatorit të mandatit të parë Markwayne Mullin, i thirrur për të zëvendësuar një tjetër ish-besnike të Trump, Kristi Noem, e cila humbi postin pas ngjarjeve tragjike të Minneapolis-it në janar.
Në NSA (National Security Agency), zemra e spiunazhit kibernetik amerikan, vazhdojnë ende pasojat e shkarkimit, ende të paqartë, të gjeneralit Timothy Haugh, veteran i inteligjencës.
Ndërkohë në Shtëpinë e Bardhë, posti kyç i këshilltarit për Sigurinë Kombëtare tradicionalisht personi vendimtar për lidhjet mes politikës dhe inteligjencës prej një viti mbahet nga Marco Rubio, në kohën e lirë mes angazhimeve të shumta si Sekretar Shteti.
Në zyrën e Tulsi Gabbard, e cila do ta mbajë detyrën deri në fund të qershorit në pritje të pasardhësit, kishin dhënë tashmë dorëheqjen edhe dy zëvendësit e saj, Amaryllis Fox Kennedy (nusja e ministrit të Shëndetësisë Robert F.Kennedy) dhe Joe Kent, të dy në kundërshtim me luftën në Iran.
Nëse në Uashington mbizotëron kaosi, për të gjetur pak stabilitet dhe gjakftohtësi duhet të zhvendosesh disa kilometra në veriperëndim të Shtëpisë së Bardhë. Në kampusin sekret dhe tepër të mbrojtur prej 1000 hektarësh në Virxhinia, ku ndodhet selia e CIA-s, për nder të një presidenti republikan që duket antiteza historike e Trump.
Në Langley, në zyrën që dikur ishte e Bush, qëndron tani John Ratcliffe, një teksan fytyrëzbehtë, i cili gjatë administratës së parë Trump kishte mbajtur për pak kohë të njëjtin post që tani e la Gabbard.
I qetë dhe metodik mes betejave për pushtet në komunitetin e inteligjencës, Ratcliffe ka fituar besimin e Trump dhe Rubio-s, të cilët po ia besojnë menaxhimin e një sërë krizash, mes tyre së fundmi edhe atë me Kubën.
Ditët e fundit ishte ai që fluturoi drejt Havanës për t’i përcjellë një mesazh presidentit kuban, i cili tingëlloi si kërcënim: mund t’ju ndihmojmë ekonomikisht, por vetëm nëse do të ketë një ndryshim të thellë politik.
Mesazh që u përforcua nga ngritja e akuzave ndaj Raúl Castro-s për një çështje tridhjetëvjeçare dhe nga mbërritja në zonë e aeroplanmbajtëses Nimitz dhe grupit të saj detar.
Ratcliffe po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në krah të dyshes Trump-Rubio dhe, nën drejtimin e tij, CIA duket se po lëviz me atë kthjelltësi që mungon, për shembull, në Pentagon.
Ndërkohë ish-drejtori David Petraeus, një figurë që bashkon ekspertizën ushtarake me atë të inteligjencës, ka shprehur vlerësime për mënyrën se si CIA e menaxhoi fazën fillestare të luftës në Iran, përfshirë faktin që kishte parashikuar pa u dëgjuar nga Trump - atë që do të ndodhte në Ngushticën e Hormuzit.
Por një tjetër ish-drejtor, William Burns, paraardhësi i Ratcliffe gjatë administratës Biden, është shumë më kritik: sipas tij, Langley ka njëfarë pavarësie, por mbetet ende tepër e politizuar dhe e rreshtuar me Shtëpinë e Bardhë, gjë që e dobëson përballë sfidave të mëdha që paraqesin Kina, Irani apo Rusia.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor. Pavarësisht buzëqeshjeve dhe shtrëngimeve të duarve mes Xi Jinping dhe Trump në Pekin, kinezët po shtojnë sulmet kibernetike në Shtetet e Bashkuara, ndërsa agjencia që duhet t’i kundërshtojë, FBI-ja, nuk duket më e përqendruar te kundërspiunazhi.
Aleancat ndërkombëtare që i mundësonin inteligjencës amerikane të kishte një panoramë të plotë të situatës globale janë dobësuar të gjitha dhe shumë shpesh, sidomos në Evropë, kanë hyrë në krizë.
Në fushën e shërbimeve sekrete, Trump ka ndjekur vërtet logjikën “America First”, me rezultatin që tani Amerika është e vetme./Përshtati "Pamfleti", “Il Foglio”
Dihet kjo se FBI ka detyren të tredhe padeofilet, të korruptuarit e hajdutet brenda. CIA merret me të huajte e u keput kokat.