Kancelari gjerman, Friedrich Merz gjithashtu iu bashkua kritikave ndaj Rusisë për sulmin me dron në një ndërtesë apartamentesh në Rumani.
Në një reagim, ai thotë se inkursioni i Rusisë tregon gatishmërinë e saj për të përshkallëzuar luftën ndaj Rusisë edhe në vende të tjera.
Sipas tij, NATO duhet të mbajë një qëndrim më të fortë në krahun lindor, duke shtuar se janë të gatshëm të mbrojnë çdo centimetër.
“Inkursioni i pamatur me dron i Rusisë në Rumani tregon edhe një herë gatishmërinë e Rusisë për të përshkallëzuar situatën.
Gjermania qëndron me aleatët tanë të NATO-s. Incidenti edhe një herë nënvizon nevojën për një qëndrim të fortë të NATO-s në krahun lindor. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të territorit të Aleatëve”, u shpreh Merz.
Një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e dy personave. Lajmi u konfirmua nga Ministria rumune e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve, droni u rrëzua në qytetin lindor të Galacit (Galați), pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa forcat ruse po kryenin sulme ajrore në territorin ukrainas.
Inspektorati i Përgjithshëm për Situatat e Emergjencës bëri të ditur se ngarkesa shpërthyese e dronit detonoi plotësisht pas përplasjes, duke shkaktuar një zjarr në katin e dhjetë të pallatit.
Ky është rasti i parë që qytetarë rumunë lëndohen si pasojë e drejtpërdrejtë e një droni rus që hyn në territorin e Rumanisë gjatë luftës në Ukrainë. Deri tani, Moska nuk ka reaguar zyrtarisht për incidentin.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e cilësoi ngjarjen si një "përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga Federata Ruse".
Kreu i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi si sjellje të pakujdeshme të Rusisë, sulmin në Rumani.
“Sjellja e pakujdesshme e Rusisë është një rrezik për të gjithë ne. Mbrëmë u pa sërish se pasojat e luftës së tyre agresive dhe të paligjshme nuk ndalen në kufijtë e tyre”, shkroi Rutte në platformën X.
Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes brenda territorit të saj dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në përpjekjet për të mbrojtur veten nga agresiviteti rus.
"Sapo fola me Presidentin e Rumanisë në lidhje me dronin rus që goditi një ndërtesë banimi në Galati. E sigurova për solidaritetin absolut të NATO-s me Rumaninë dhe shpreha keqardhje për të plagosurit në incident. Pohova se NATO është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat. Ne do të vazhdojmë të rrisim gatishmërinë tonë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi, përfshirë edhe nga dronët.
Sjellja e pamatur e Rusisë është një rrezik për të gjithë ne. Ata vazhdojnë të synojnë civilët dhe infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën. Dhe mbrëmë treguan edhe një herë se implikimet e luftës së tyre të paligjshme të agresionit nuk ndalen në kufi", tha Rutte.
Lini një Përgjigje