Zyrtari më i lartë humanitar i OKB-së dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletcher, ka deklaruar se Bordi i Paqes i Trump nuk do ta zëvendësojë organizatën e tij.
“Unë jam i qartë dhe kolegët e mi janë të qartë se Kombet e Bashkuara nuk do të shkojnë askund”, tha ai për CNN kur u pyet nëse Bordi për Paqe është një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në.
Fletcher theksoi se OKB-ja është ndërtuar për kohë të vështira dhe se viti 2026 është një sfidë që do të kapërcehet.
“Kombet e Bashkuara nuk u ndërtuan për kohë të lehta, por për kohë të vështira dhe viti 2026 duket se do të jetë një vit i vështirë, por ne jemi të përqendruar maksimalisht në ofrimin e ndihmës për qindra miliona njerëz në mbarë botën të cilëve u shërbejmë”, shtoi ai.
Karta e Bordit, e siguruar nga Times of Israel dhe e konfirmuar si autentike nga dy burime për CNN, e përshkruan atë si një “organizatë ndërkombëtare” që punon për të “siguruar paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, duke ngritur shqetësime në të gjithë bashkësinë ndërkombëtare se Trump po kërkon një mandat të gjerë që zgjerohet përtej Gazës, gjë që nuk përmendet me emër në dokument.
Duke shprehur mbështetje për planin e Trump, Fletcher i kërkoi Bordit të Paqes të përqendrohej te Gaza dhe te procesi i paqes izraelito-palestinez.
“Askush nuk interesohet më shumë për paqen sesa ne. Të gjithë ne duam të shohim suksesin e planit të Presidentit Trump që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë krah për krah në siguri, drejtësi dhe mundësi dhe shpresoj që ky Bord i Paqes do të përqendrohet shumë në këtë”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje