Teksa Kryeministri Edi Rama e ka pranuar menjëherë ftesën për “Bordin e Paqes”, Athina dhe një sërë kryeqytetesh të tjera evropiane po e shohin këtë ftesë me kujdes dhe rezerva.
Sipas burimeve diplomatike greke, qeveria e Athinës po shqyrton hollësisht propozimin, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ligjor, në koordinim me partnerët e saj në Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Greqia aktualisht është anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe për këtë arsye nuk dëshiron të përfshihet në struktura që mund të duken si paralele, ose më keq akoma, konkurrente ndaj sistemit të OKB-së.
Sipas dokumenteve që shoqërojnë ftesën, “Bordi i Paqes” kishte në fillim një mision të kufizuar për Gazën, në kuadër të rezolutës 2803 të KS të OKB-së. Por tani, propozimi i Trump zgjerohet tej kufijve fillestarë, duke mos u kufizuar vetëm në Gazë dhe pa afat kohor të përcaktuar, duke krijuar përshtypjen se synon të jetë një strukturë e përhershme me influencë të madhe amerikane.
Pikërisht kjo është ajo që shqetëson Athinën: një strukturë ndërkombëtare jashtë OKB-së, që promovon një arkitekturë të re globale me SHBA-në në krye dhe Trumpin si figurë drejtuese. Një projekt i tillë, për shumë vende, është një formë e re unilateralizmi që rrezikon të minojë rregullat e rendit ndërkombëtar të pasluftës së dytë botërore.
Lini një Përgjigje