TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Maj 2026, 22:19

SHBA-të tërhiqen pas protestave: Jo të gjithë aplikantët për Green Card duhet të largohen nga vendi

Shkruar nga Pamfleti
SHBA-të tërhiqen pas protestave: Jo të gjithë
Green Card

Administrata amerikane ka zbutur një vendim të shpallur më 22 maj, sipas të cilit aplikantët për marrjen e kartës së qëndrimit të përhershëm (“Green Card”) duhej të largoheshin nga Shtetet e Bashkuara dhe të kryenin procedurat nga vendi i origjinës.

Sipas New York Times, Departamenti i Sigurisë Kombëtare bëri të ditur se politika e re nuk do të zbatohet për të gjithë aplikantët, por do të shqyrtohet rast pas rasti.

Autoritetet amerikane sqaruan se udhëzimi ishte thjesht një kujtesë për zyrtarët e emigracionit që të përdorin kompetencën e tyre diskrecionale për të vendosur nëse një aplikant duhet apo jo të largohet nga SHBA gjatë procesit të aplikimit.

Vetëm pak ditë më parë, Shërbimi Amerikan i Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS) kishte njoftuar se personat që ndodhen përkohësisht në SHBA dhe dëshirojnë të marrin “Green Card” duhet të kthehen në vendin e tyre për të paraqitur kërkesën, përveç rasteve të veçanta.

Sipas USCIS, mbajtësit e vizave të përkohshme, si studentët, punonjësit sezonalë apo turistët, hyjnë në SHBA për një periudhë dhe qëllim të caktuar, ndaj qëndrimi i tyre nuk duhet të shërbejë automatikisht si hap drejt rezidencës së përhershme.

Vendimi shkaktoi reagime të forta nga organizatat për të drejtat e emigrantëve dhe nga firmat ligjore që merren me çështjet e emigracionit. Kritikët argumentuan se masa do të krijonte pasiguri dhe vështirësi për mijëra emigrantë që ndodhen ligjërisht në SHBA.

Kongresmeni demokrat Chuy Garcia e cilësoi politikën si “absurde dhe mizore”, duke paralajmëruar se ajo do të detyronte mijëra emigrantë të ligjshëm, përfshirë bashkëshortët e qytetarëve amerikanë, të largoheshin nga familjet, puna dhe shtëpitë e tyre për javë apo muaj të tërë gjatë procesit të aplikimit.

Sipas Washington Post, Shtetet e Bashkuara lëshojnë çdo vit më shumë se një milion “Green Card”, ndërsa mbi gjysma e aplikantëve ndodhen tashmë brenda territorit amerikan kur paraqesin kërkesën.

green card shba

Lini një Përgjigje