
Administrata amerikane paralajmëron masa shtesë nëse Teherani nuk ndalon arrestimet e shtetasve amerikanë
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur Iranin “Shtet Sponsor të Ndalimeve të Padrejtë”. Njoftimin e bëri presidenti Donald Trump, i cili deklaroi se regjimi iranian ka përdorur prej dekadash ndalimin e shtetasve amerikanë dhe të vendeve të tjera si mjet presioni politik ndaj shteteve të tjera.
Sipas deklaratës së presidentit, praktika e marrjes peng e ka zanafillën 47 vite më parë, kur Ajatollah Khomeini konsolidoi pushtetin duke mbështetur marrjen peng të stafit të Ambasadës së SHBA-së në Teheran. Që prej asaj kohe, theksoi ai, Irani ka vazhduar të ndalojë qytetarë të huaj për qëllime politike.
Presidenti Trump rikujtoi se në vjeshtën e kaluar ka nënshkruar një Urdhër Ekzekutiv për mbrojtjen e shtetasve amerikanë nga ndalimet e padrejta jashtë vendit. Më pas, Kongresi miratoi Aktin për Kundërvënien ndaj Ndalimeve të Padrejtë të vitit 2025, i cili autorizon Departamentin e Shtetit të shpallë Iranin si “Shtet Sponsor të Ndalimeve të Padrejtë”.
Administrata amerikane paralajmëroi se, nëse Irani nuk ndryshon qëndrim, SHBA mund të shqyrtojë masa shtesë, përfshirë vendosjen e kufizimeve gjeografike për përdorimin e pasaportave amerikane për udhëtime drejt, përmes ose nga Irani.
Në deklaratë kërkohet që autoritetet iraniane të ndalojnë marrjen e pengjeve dhe të lirojnë të gjithë shtetasit amerikanë që, sipas Uashingtonit, mbahen në mënyrë të padrejtë. Sipas administratës, këto hapa mund të çojnë në heqjen e këtij përcaktimi dhe masave përkatëse.
SHBA gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të mos udhëtojnë drejt Iranit për asnjë arsye dhe u kërkoi atyre që ndodhen aktualisht në Iran të largohen menjëherë.
Lini një Përgjigje