
Dy të sulme të njëpasnjëshme vdekjeprurëse në javën e kaluar kanë tronditur Serbinë.
Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zheljko Bërkic njoftoi dje se ditëve të fundit janë regjistruar 90 raste të rrezikimit të sigurisë në Serbi.
Bërkic tha se 24 prej tyre vijnë nga rrjetet sociale, ndërkohë shtoi se tetë të mitur janë ndaluar. Zyrtari i MPB-së i ka thënë RTS-së se vetëm në zonën e Beogradit janë regjistruar 43 raste të rrezikimit të sigurisë dhe shkaktimit të panikut, pesë persona janë ndaluar dhe janë ngritur katër kallëzime penale.
“Unë iu bëjë thirrje mësuesve dhe prindërve që të bisedojnë me fëmijët dhe t’iu shpjegojnë atyre se çdo postim që mund të duket humoristik ose do të tërheqë ndjekës mund të çojë në pasoja të rënda”, deklaroi Bërkic.
Policia serbe ka arrestuar dje një student 19-vjeçar në Serbi, nën dyshimin për shkaktim të panikut dhe çrregullimit psikik.
Ai dyshohet se në një grup të klasës së tij përmes një aplikacioni në celular ka postuar një vizatim të një klase me trupa të gjakosura të shtrira pranë tavolinave, ndërsa njëri mbante një objekt si armë, raportojnë mediat serbe.
Atij i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe pritet t’i ngrihet kallëzim penal.
Mijëra qytetarë në Serbi kanë mbushur rrugët e Beogradit dje duke protestuar për vrasjet masive që terrorizuan vendin.
“Danas” shkruan se protestat u zhvilluan në disa qytete, ndërsa në Beograd thuhet se kanë zbritur në shesh mbi 50 mijë qytetarë. Tubimi u mbajt para selisë së Parlamentit dhe para qeverisë.
Nën sloganin “Serbia kundër dhunës”, qytetarët kanë kërkuar që qeveria të mbajë përgjegjësi për masakrat, teksa në duar mbanin parulla ku shkruhej “dorëheqje”. Protestuesit dolën me disa kërkesa për qeverinë dhe kërcënuan se nëse deri të premten nuk plotësohet, numri i atyre që protestojnë do të jetë dhe më i madh.
Lini një Përgjigje